2008-06-20 18:40:58

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës: "Nata më e gjatë e historisë".


(20.06.2008 RV)Natën e 9 dhjetorit 1582 banorët e mbretërisë së Francës, duke u nisur për të fjetur, përgatiteshin të kalonin natën më të gjatë të të gjitha kohëve. Në të vërtetë, do të zgjoheshin dhjetë ditë më pas. Kishin rënë në krevat më 9 dhjetor e, kur u ngritën, ishte data 20 dhjetor. Dy muaj më parë, edhe Spanja, Italia, Portugalia e Polonia ishin kredhur në natën më të gjatë të historisë: pas së enjtes, 4 tetor, kishte ardhur e premtja, 15 tetor. Dhjetë ditë të zbrazta. Pa të vdekur e pa të lindur. Ditë pa ngjarje, pa dritë, pa errësirë. Gjë e paparë e e padëgjuar. E megjithatë, nuk është mrekulli. As pjellë e fantazisë.
Me dëshirën e Papës Gregori XIII, u vendos të korrigjohej mospërputhja ndërmjet zgjatjes së vitit të kalendarit julian e vitit diellor, i cili përkon me kohën që i duhet Tokës për t’u sjellë rreth Diellit. Gabimi në matjen e rrotullimit të Tokës rreth Diellit ishte i vogël, pakëz minuta e sekonda. Saktësisht, njëmbëdhjetë minuta e katërmbëdhjetë sekonda më shumë sesa zgjatja e vërtetë e vitit diellor. Por me që ky ndryshim vijonte nga viti në vit, çdo njëqind e tridhjetë vjet grumbulloheshin aq minuta e sekonda, sa të bënin një ditë të tërë më shumë.
E ky problem, i pa zgjidhur për gjashtëmbëdhjetë shekuj, lindi kur, në vitin 46 pas Krishtit, Sosigjeni i Aleksandrisë e llogariti gabim zgjatjen e ciklit vjetor të diellit. Kështu kalendari, që mbante emrin e Jul Qesarit të famshëm, nuk ishte i saktë.
Për shekuj me radhë askush nuk u shqetësua për këtë gabim. Por në vitin 1582, Gregori XIII vërejti se në këtë vit Pashkët ranë dhjetë ditë përpara ditës së parashikuar. Kjo do ta pështjellonte gjithë vitin liturgjik! Atëherë vendosi ta bënte këtë hap e t’i ndreqte të gjitha orët me orën... diellore. Prandaj papa thirri teologë, studiues e astronomë për ta llogaritur rishtas kohëzgjatjen e vitit diellor e për të rishikuar sistemin e viteve të brishta. Pastaj, për t’i shlyer ditët e vonesës së vitit diellor, në krahasim me atë civil, vendosi thjeshtë të kapërceheshin dhjetë ditë për të gjithë banorët e vendeve, sovranët e të cilëve pranuan t’i zbatojnë udhëzimet e reja.Viti ynë civil dhe ai fetar bazohen edhe sot e kësaj dite mbi Kalendarin gregorian, i cili ka karakter universal. Duhet respektuar në të gjitha aktet ndërkombëtare, edhe në vendet që nuk e përdorin. Edhe sot e kësaj dite bota vijon ta matë kohën me orën e Gregorit XIII.







All the contents on this site are copyrighted ©.