2008-06-19 18:47:19

Dialogu ndërmjet feve, i bazuar në mirëkuptimin dhe besimin mes tyre, në qendër të fjalës që Papa u drejtoi ipeshkvijve të Pakistanit në vizitë ad Limina.


(19.06.2008 RV)Rëndësia e Eukaristisë për jetën e të krishterëve, impenjimi në favor të nevojtarëve, nevoja e një dialogu ndërfetar të sinqertë dhe paqësor, ishin tri temat e mëdha në qendër të fjalës, që Papa Benedikti XVI iu drejtoi sot ipeshkvijve të Pakistanit, të cilit i priti në audiencë me rastin e vizitës së tyre ad Limina Apostolorum në Vatikan.
Të krishterët e Pakistanit të nxisin dialogun ndërfetar, u tha Ati i Shenjtë ipeshkvijve të vendit, ku shumica e popullsisë është myslimane. Prandaj, është e rëndësishme që besimtarët e krishterë të përpiqen të krijojnë ura lidhjeje për t’u kuptuar me besimtarët e feve të tjera e për të krijuar një klimë besimi të ndërsjelltë. Por, Papa nuk mungoi të përmendë edhe vështirësitë, që katolikët hasin në jetën e tyre të përditshme në Pakistan, ku feja e Krishtit është e pranishme që nga shekulli XVI. Papa Racinger lavdëroi më pas impenjimin e institucioneve katolike për të mirën e përbashkët të vendit:
“The Gospel teaches us that Jezus cannot be loved in the abstract…”
“Ungjilli – tha Ati i Shenjtë – na mëson se Jezusi nuk mund të duhet në mënyrë abstrakte”. Ata që punojnë në spitale, shkolla dhe shoqata vullnetarësh katolikë u përgjigjen nevojave konkrete të të tjerëve, duke e ditur se përmes akteve të tyre të dashurisë për të afërmin, i shërbejnë Zotit. Në këtë mënyrë, ata zbulojnë para të tjerëve fytyrën njerëzore të dashurisë së Hyjit për çdo person.
Një pjesë të rëndësishme të fjalës së tij, Papa ia kushtoi Eukaristisë, e cila duhet të jetë në qendër të jetës së meshtarëve dhe ipeshkvijve:
“The source and summit of the Church’s life…”
“Burim dhe kulm i jetës së Kishës – shtoi Benedikti XVI – Eukaristia orienton mënyrën e të menduarit, të folurit dhe të vepruarit të të krishterëve dhe e bën të pranishëm kuptimin shpëtues të vdekjes e Ngjalljes së Krishtit”. Ndarja e bukës eukaristike – shpjegoi Ati i Shenjtë - na kujton gjithnjë se dhuna absurde nuk do të ngadhnjejë kurrë, sepse Krishti ka fituar mbi mëkatin e vdekjen përmes Ringjalljes së tij të lavdishme. Papa nënvizoi se lindja e shumë lëvizjeve kishtare në dioqezat pakistaneze është pikërisht vepër e kësaj përshpirtërie eukaristike e nuk mungoi të theksojë rëndësinë e formimit të seminaristëve, duke i këshilluar ipeshkvijtë të vënë në dispozicion të tyre burime njerëzore dhe materiale.








All the contents on this site are copyrighted ©.