365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës: "Edmund Kampioni, misionar
për vendin e vet".
(19. 06. 2008 RV)Në horizont duket
bregdeti anglez. Është data 24 qershor e vitit 1580 e Edmund de Kampioni shikon dy
shokët që ka pranë: Robert Persons e Ralf Emerson. “Kush e di si do të na presin”,
u thotë atyre, në sa fytyra e tij memzi e fsheh shqetësimin e brendshëm. “Kam
frikë se, duke qenë katolikë, nuk do të na presin aq mirë, sa do të dëshironim”, përgjigjet
trishtueshëm Roberti. “Anglia i kundërvihet prej kohe papës...”. Tre shokët zhyten
në mendime. Kujtojnë ngjarjet që tronditën vendin e tyre vitet e fundit. Gjithçka
nisi në vitin 1553, kur mbreti Henriku VIII, i tërbuar nga që papa nuk i jipte lejën
të ndahej nga gruaja e të rimartohej, vendosi të mos i bindej më Romës e të vepronte
ashtu si i thoshte mendja. Pas tij, i biri, Eduardi VI, ia imponoi brutalisht reformën
protestante mbarë Anglisë. Nisi, kështu, përleshja shumëvjeçare ndërmjet katolikëve
e protestantëve, që la pas mijëra kufoma. Herë fitonte njëra palë e herë, tjetra.
Kjo varej nga mbreti që ulej në fronin anglez, i cili mund të ishte përkrahës i njërës,
ose i tjetrës palë. Kur shpërthente një valë e re persekutimi kundër katolikëve, Edmundi
me shokë ikin nga vendi, për të vijuar përgatitjen e për t’u bërë meshtarë. Sot rikthehen
në Angli: kjo është tokë e re misioni për Kishën katolike. Misioni i tyre është t’i
rikthejnë anglezët në katolicizëm. .. e këtë duhet ta bëjnë sa më shpejt që të jetë
e mundur. Nuk e dinë sa kohë do të kenë në dispozicion, para se anglezët t’ua mbyllin
gojën. Por e dinë mirë se kjo do të ndodhë pa tjetër. Edmundi është i bindur për këtë.Ai
e di edhe se dhuna është krejt e kotë. Vendi ka derdhur shumë gjak në luftërat fetare
e nuk do t’ia vinte veshin fare një misionari brutal. Jo. Këtu sjelljes brutale duhet
t’ia zërë vendin dialogu. Vetëm kështu mund t’u përcillet njerëzve mesazhi i Kishës
katolike. Ndonëse meshtari i ri e di mirë se do t’ia prishë rehatin shumkujt. Një
ditë Edmund Kampionin e arrestojnë. Është data 19 qershor e vitit 1581. Sapo është
mbushur viti që ka shkelur në Angli. Bëjnë çmos ta bindin të heqë dorë nga katolicizmi,
duke i premtuar si shkëmbim, një post të rëndësishëm në Kishën anglikane. Por ata
nuk e njohin! Edmundi u përgjigjet se të jesh papist, për të është krenaria më e madhe.
E, duke shqiptuar këto fjalë, vulos dënimin e vet. Por atij nuk i bëhet vonë fare.
.. Ky meshtar i ri e pranoi misionin që iu besua nga Kisha katolike; e dëshron ta
pranojë deri në fund të fundit, deri në martirizim. Dëshirë që i realizohet. Vritet
më 1 dhjetor të të njëjtit vit.