2008-06-18 16:03:56

Në Tars të Turqisë, të dielën do të fillon Vitit kushtuar Shën Palit Apostull


Të dielën, më 22 qershor do të përurohet në Turqi, Viti kushtuar Shen Pali Apostull që vetë Papa Benedikti XVI vendosi t’ia kushtojë 2000 vjetorit të lindjes së Apostullit të Popujve, duke filluar nga 28 qershori i këtij viti deri më 29 qershorin e vitit 2009. Viti do të fillojë pak më parë në Tars të Turqisë, vendi i lindjes së shën Palit Apostull, me një Meshë të kremtuar nga kardinali Valter Kasper, kryetar i Këshillit Papnor për Nxitjen e bashkimit të të krishterëve. Me këtë rast, ipeshkvijtë e Turqisë kanë botuar një letër baritore me titull: “Pali, dëshmitar dhe apostull i identitetit të krishterë”, në të cilën nënvizojnë nevojën e bashkimit në fe. Vendet e përfshira në kremtime do të jenë dy: Tarsi, ku është kërkuar përdorimi i kishës së lashtë kushtuar Shën Palit, e cila sot është muze, dhe Antiokia, vend shtegtimi për besimtarët e të gjithë botës. Në Tars, vendlindja e shën Palit, sot nuk ka të krishterë e as kisha, ndërsa në Antioki, në vendin ku për herë të parë dishepujt e Krishtit u quajtën të krishterë, mbijeton një bashkësi e vogël prej rreth dhjetë familjesh katolike e një numër më i madh greko-ortodoksësh të gjuhës arabe.
Kujtojmëse Viti Jubilar kushtuar Shën Palit Apostull do të kremtohet edhe ndër shqiptarë e në mënyrë të posaçme në kryeipeshkëvijnë metropolitane të Tiranë-Durrësit me nisma të ndryshme fetare, liturgjike e kulturore. Po përkujtojmë se Kisha katedrale e Tiarnës i është kushtuar Shën Palit, e edhe në vise tjera shqiptare, Apostullit që solli krishterimin ndër shqiptarë, i kushtohen Kisha.







All the contents on this site are copyrighted ©.