2008-06-18 18:27:02

Kardinali Tomko në Kongresin Eukaristik ndërkombëtar: Eukaristia i jep forcë ungjillëzimit


(18.06.2008 RV)RealAudioMP3 Vazhdon pra me entuziazëm e pjesëmarrje të madhe Kongresi i 49-të Eukaristik ndërkombëtar në Kebek të Kanadasë. Sot, kardinali kryeipeshkëv i Buenos Airesit reflekton mbi temën “Eukaristia ndërton Kishën, sakrament i shpëtimit”. Dje, kryeipeshkvi i Lionit, kardinali Barbarë’ u ndal në “Eukaristinë si kujtim i misterit të Pashkëve”. Kardinali Jozef Tomko, i dërguar i Papës në këtë Kongres, në një intervistë për Radio Vatikanin, ndalet në binomin Eukaristi-ungjillëzim:
Ungjillëzimi nuk është lojë: kërkon sidomos dëshmi. Ky është mjeti i parë. Për të pasur forcën e dëshmisë, ku ta marrim nëse jo nga Krishti i gjallë? Prandaj, para së gjithash duhet ta përforcojmë fenë. Këtu është qëllimi i këtij Kongresi që zhvillohet në Kanada e pra në një ambient të ngjashëm me botën perëndimore e jo vetëm. Kemi ngulur këmbë në festimin e së dielës. Pa ushqimin e së dielës, pa Hosten Shenjte, nuk mund të jetojmë.
Cilat janë fenomenet që japin shpresë për ripërtëritjen shpirtërore të botës e të Kishës?
Mbi të gjitha prania e fesë së gjallë,e ndoshta edhe prania e vështirësive, sepse janë përmendur raste të kohëve tona, në të cilat Eukaristia ka qenë një mbështetje e jashtëzakonshme. Unë vetë solla shembullin e atdheut tim, sepse më kanë treguar ata që kanë dalë nga burgjet se ç’ka qenë për ta Eukaristia, çuar në burg në mënyrë të fshehtë, shpesh e futur në biskota, në bukë… duke kaluar mes kontrolleve… Ama ç’forcë jepte kjo Eukaristi? Janë gjëra të bukura, të forta! Siç solla edhe shembullin e njohur të kardinalit Van Tuan, vietnamez, që në qelinë e izolimit arriti madje të thoshte Meshën, sepse për bukën ishte më e lehtë, por për verën… mori verën në vend të ilaçit. Kështu, kur vuri mbi pëllëmbën e dorës pak pika verë, kremtoi krejt liturgjinë e Meshës Shenjte që e dinte përmendësh: në qelinë e izolimit…







All the contents on this site are copyrighted ©.