2008-06-18 15:58:28

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës: Gjermana di Pibrak: vajza e mrekullive.


(18.06.2008 RV)Gjermana kishte njerkë, si Hirushja. Njerkë të vërtetë, të rreptë e të pamëshirshme. Vajzës i vdiq e ëma që kur ishte pesë vjeçe. E, pas pak, i jati mori një grua tjetër, që duhet t’i zinte vendin e nënës. Por është tepër e vështirë që njerka të bëhet nënë. E njerka e Gjermanës ishte aq njerkë, sa ia kalonte edhe asaj të Hirushes. Ose, së paku, i ngjanin njëra-tjetrës, si dy pika uji.
Kështu Gjermana, ashtu si Hirushja, u bë shërbëtorja e familjes. Sapo i mbushi nëntë vjeç, e nisën të kulloste bagëtitë. Nën diell, nën shi e nën dëborë. Natën flinte poshtë shkallës, ndonëse shtëpia e të jatit, Lorencit Kuzë’, kryetar i bashkisë së katundit francez Pibrak, pranë Tuluzës, ishte e madhe e mund t’i zinte të gjithë fëmijët e tij... E për më tepër, ndryshe nga protagonistja e përrallës, Gjermana nuk ishte aspak e bukur: ishte imcake e shëndetligë; dorën e djathë e kishte të gjymtë, ndërsa grykën, gjithnjë të enjtur e të qelbëzuar. Në atë kohë - Gjermana lindi në vitin 1579 - askush nuk dinte ta mjekonte këtë sëmundje. Të gjithë, përveç të jatit, e shikonin me përbuzje. Ua vriste sytë. Por për fat të mirë, ashtu si Hirushja, edhe Gjermana kishte një nunë, a më mirë të themi, një nun, të jashtëzakonshëm: vetë Zotin. Duket se Hyji ishte gjithnjë pranë kësaj bareshe të varfër, që nuk e donte askush.
Por me që Hyji është i padukshëm e Gjermana nuk ishte nga ato që mburren për praninë e Tij, sjellja e vajzës nisi t’i bezdisë banorët e fshatit.
“Po ç’bën kështu, kjo fanatike? Si guxon kjo bareshë e pashkollë t’u mësojë katekizëm fëmijëve të tjerë? Ani kush! Një humbëtirë, që s’di as nga lidhet gomari”.
Gjermana nuk mërzitej fare nga fjalët e botës. Thua mund të mërzitet njeriu, që jeton çaste të çuditshme e të jashtëzakonshme? Po kujtojmë vetëm njërin prej tyre. Një ditë prej ditësh, banorët e Pibrakut panë përroin duke u ndarë më dysh, për t’i bërë shteg vashës, që po shkonte në Kishë.
Por, ndërsa Gjermana ishte ende gjallë, askush nuk e vrau mendjen për të kuptuar se ajo ishte e zgjedhura e Zotit. E askush nuk i bëri vetes pyetjen: ‘Kush ishte kumbara, që i jipte bareshës së vogël aq forcë, sa të vinte gjithnjë buzën në gaz, pavarësisht nga të gjitha?’. Shën Gjermana vdiq shumë e re, njëzet e dy vjeçe. Njerëzit e njohën vetëm shumë kohë pas vdekjes, kur trupi i saj, i zbuluar rastësisht, u gjet i paprekur, si ditën kur ishte mbyllur në varr. Në këtë çast, vetëm pleqtë e katundit u kujtuan se ajo kishte jetuar mes tyre. Të mrekulluar për këtë ngjarje, treguan atë, që askush nuk kishte dashur ta dijë: kjo Hirushe kishte lidhje krejt të posaçme me Hyjin...







All the contents on this site are copyrighted ©.