2008-06-17 19:25:55

Nesër, kardinali Bertone shkon në Bjellorusi


(17.06.2008 RV)Nesër, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Bertone do të vizitojë ish-Republikën sovjetike të Bjellorusisë. Pra, nga data 18 deri më 22 qershor, Sekretari i Shtetit të Vatikanit do të qëndrojë pesë ditë në Bjellorusi. Sipas programit të kësaj vizite zyrtare, më datën 18 qershor, Sekretari i Shtetit të Vatikanit do të mbërrijë në kryeqytetin e Biellorusisë, Minsk, ku do të pritet nga autoritet kishtare e civile. Në mbrëmjen e 18 qershorit, do të vizitojë selinë e Karitasit dioqezan.
Të enjten në mëngjes, do të mbahet takimi i shumëpritur i kardinalit Bertone me Metropolitin ortodoks të Minskit e Slukit, Filaret, Hekzark patriarkal i tërë Biellorusisë; më pas do të zhvillohet biseda me presidentin e Komitetit për Çështjet fetare e për Pakicat etnike të Kryeministrisë, Guljako, dhe me ministrin e Jashtëm, Martinov. Pasdite Lectio Magistralis e kardinalit Bertone drejtuar botës së kulturës, profesorëve e studentëve të Universitetit Shtetëror bjellorus, mbi temën "Feja e arsyeja: t'i flasësh për Zotin njeriut të sotëm". Në vijim, vizita pranë bashkësisë greko-katolike dhe prania në Teatrin Kombëtar të Baletit, ku do të shfaqet "Krijimi i Botës".
Të premten në mëngjes, takimi i sekretarit të Shtetit të Vatikanit me Konferencën ipeshkvnore bjelloruse, e më pas, biseda me presidentin e Republikës, Llukashenko, për të marrë pjesë pastaj në drekën e ofruar për nder të kardinalit Bertone nga ministri i Jashtëm. Pasdite prelati i lartë do të takohet në Katedralen e Minskit me kardinalin Kazimirz Sviatek dhe do të marrë pjesë në lutjen e Mbrëmësores.
Të shtunën paradite, në Grodno, kremtimi i Meshës së Shenjtë në Katedrale e pastaj takimi me meshtarë e rregulltarë; pasdite në Minsk, bekimi i gurit të parë të Kishës së Gjon Pagëzuesit e takimi me të rinjtë.
Të dielën në mëngjes, takimi me bashkësinë e famullisë kishtare, në kishën e Shën Simonit e shën Elenës; e pastaj vënia e një kurore me lule në sheshin e Fitores; më pas do të kremtohet Mesha e Shenjtë në kishën katedrale të Minskut. Në orën 12.45 konferenca e shtypit, para drekës me ipeshkvijtë dhe me vizitatorin apostolik për besimtarët greko-katolikë. Së fundi nisja në orën 18.00 nga aeroporti i kryeqytetit dhe kthimi në Romë.







All the contents on this site are copyrighted ©.