2008-06-17 19:26:28

Kriza ushqimore dhe kujdesi për të vobektët, në qendër të punimeve të Kongresit Eukaristik ndërkombëtar


(17.06.2008 RV)Kriza ushqimore dhe kujdesi për më nevojtarët ishte në qendër të ditës së djeshme, në Kongresin Eukaristik ndërkombëtar, që po zhvillohet në Kebek të Kanadasë.
Kryeipeshkvi i Uashingtonit, imzot Donald Uerl reflektoi mbi mënyrën se si populli i Zotit mund të hyjë në Mbretërinë e Hyjit dhe të bashkëndajë misterin e Eukaristisë. Imzot Uerl përvijoi tri rrugë: feja, që na bën të themi “Unë besoj”; shpresa, që na bën ta jetojmë jetën si dhuratë; dhe bamirësia, që i mbush zemrat me dashuri dhe i bën të gjithë njerëzit bij të Hyjit.
Kryeipeshkvi i Kebekut, ndërkaq, përmendi krizën ushqimore botërore, e cila sipas tij po i çon të varfërit drejt një gjendje të patolerueshme. Për kardinalin Mark Oulet, është i nevojshëm një aksion i fuqishëm nga ana e qeverive dhe e Kombeve të Bashkuara për t’u ardhur në ndihmë të vobektëve dhe për të riformuar ekuilibrin në prodhimin ushqimor e në shkëmbimet tregtare. Kardinali ripohoi impenjimin e Kishës katolike, që më të varfërit të mos përjashtohen nga tryeza e përbashkët. “I rithemi “po” – përfundoi ai – ndarjes së bukës së përditshme me të uriturit, duke iu lutur Shpirtit të Shenjtë të përtërijë besnikërinë tonë entuziaste ndaj Eukaristisë së Shenjtë, dhuratë e Zotit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.