U hap Kongresi Eukaristik Ndërkombëtar në Kebek të Kanadasë
(16.06.2008 RV)Në qytetin kanadez të Kebekut filloi Kongresi Eukaristik Ndërkombëtar
mbi temën: “Eukaristia, dhuratë e Zotit për jetën e botës”. Papa Benedikti XVI i përshendeti
pjesëmarrësit me anë të një videomesazhi dhe dërgoi në emër të tij kardinalin Jozef
Tomko, ish-presidentin e Komitetit Papnor për Kongreset Eukaristike ndërkombëtare.
Kongresi, që filloi dje, është i 49-ti kushtuar Eukaristisë dhe përkon me 400-vjetorin
e themelimit të Qytetit të Kebekut. I pari Kongres eukaristik është bërë në Lilë të
Francës, në vitin 1881. Një grua, Emilì Tamizjè, qe iniciatorja, e inkurajuar edhe
nga Papa Leoni XIII. Dita e parë e këtij Kongresi, filluar me Meshën e Shenjtë
të kremtuar nga kardinali Tomko, u karakterizua nga mbërritja e “Arkës së Besëlidhjes
së Re”. Është fjala për një simbol shpirtëror, shtegtimi i të cilit ka filluar më
11 majin e dy viteve më parë në Romë, me bekimin e Papës. Që atëherë, Arka ka kaluar
nëpër mëse 70 dioqeza kanadeze për të sensibilizuar besimtarët mbi temat kryesore
të Kongresit. Janë hapur edhe shumë vende lutjeje, ku bëhet adhurimi i Eukaristisë.
Një iniciativë, që i përgjigjet dëshirës së Atit të Shenjtë, shprehur që në fillim
të papnisë: “Sa nevojë ka njerëzimi i sotëm të rizbulojë Sakramentin eukaristik,
burimin e shpresës së vet! Falenderoj Zotin që shumë famulli, krahas kremtimit të
përkushtuar të Meshës Shenjte, i edukojnë besimtarët edhe me Adhurinimin e Eukaristisë.
Uroj, që duke pasur parasysh Kongresin e ardhshëm Eukaristik Ndërkombëtar, kjo praktikë
të përhapet gjithnjë e më tepër”. Të enjten më 19 qershor, një nga çastet më
të bukura të Kongresit, me procesionin eukaristik nëpër rrugët e Kebekut, në të cilin
do të marrin pjesë rreth 15 mijë vetë. Të nesërmen, do të paraqitet “Fondacioni Kardinal
Mark Uelet”, vepër shoqërore e lidhur me Kongresin Eukaristik, që ndihmon emigrantët
dhe refugjatët e zonës së Kebekut. Të dielën, më 22 qershor, Kongresi do të përfundojë
me një Meshë të Shenjtë, homelinë e së cilës do ta mbajë Papa Benedikti XVI, i lidhur
me Kanadanë përmes satelitit.