2008-06-16 16:34:30

Thirrje e Benediktit XVI kundër trafikut të armëve, gjatë audiencës me ambasadorin e ri të Kamerunit


(16.06.2008 RV)Thirrja për të gjithë personat e përfshirë në trafikun e armëve ishte në qendër të fjalës, që Papa Benedikti XVI i drejtoi ambasadorit të ri të Kamerunit pranë Selisë së Shenjtë, Antuan Zanga, të cilin e priti sot paradite në audiencë. Papa foli edhe për varfërinë ekstreme, borxhin e vendeve të varfëra, refugjatët, sëmundjen e Sidës dhe rolin e Kishës në fushën edukative e shëndetësore:
“J’en appelle à toutes les personnes….”
Papa u bëri thirrje pra, trafikantëve të armëve, afaristë me fitime të jashtëzakonshme, ta pyesin veten mbi pasojat e sjelljes së tyre. Në rastin e Kamerunit, dhuna e armëve godet zonat përreth, duke shkaktuar një numër të madh refugjatësh e sidomos, viktima të pafajshme në gjirin e popullsisë civile. Ndër ta, Benedikti XVI kujtoi imzot Iv Plamej, meshtarin jezuit Engelbert Mveng e së fundi, fratin gjerman Anton Probst:
“Un des devoirs fondamentaux des Responsables politiques est sans aucun doute d’offrir à leurs concitoyens…”
Ati i Shenjtë u tërhoqi vëmendjen përgjegjësve politikë ndaj një detyre themelore: ata duhet t’u ofrojnë qytetarëve një shoqëri në paqe. Papa uron që përkrah autoriteteve lokale, të ndërhyjë edhe bashkësia ndërkombëtare. Është pikërisht kjo e fundit, që duhet të bëjë më tepër përpjekje për lehtësimin, ose për zhdukjen e borxhit të jashtëm të vendeve të varfëra, në mënyrë që ato të dalin nga rrethi vicioz i varfërisë së jashtëzakonshme. Ati i Shenjtë kujtoi këtu, se popullsia e Kamerunit vuan jo vetëm për shkak të situatës ekonomike globale, por edhe për fenomene që janë karakteristike të vetë vendit, si kataklizma, ndryshimet e klimës, pandemi, luftra e terrorizëm. Benedikti XVI kërkoi një ndarje më të drejtë të pasurive të globit, duke sugjeruar rrugën e mikroprojekteve dhe të luftës kundër trafikëve të paligjshëm e korrupsionit, për të dalë nga situata:
“Je me réjouis de l’attention que protent les Autorités…”
Më pas, Benedikti XVI shprehu kënaqësinë për faktin se popullsia dhe autoritetet e Kamerunit e vlerësojnë punën e Kishës Katolike në vend, në veçanti në fushën e shkollës dhe të shëndetësisë. E Papa foli për një marrëveshje të mundshme ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe vendit afrikan, pikërisht për të favorizuar veprimtarinë e Kishës në këto fusha. Autoritetet e Kamerunit njohin tashmë titujt e Universitetit Katolik të Afrikës Qendrore, që ndodhet në kryeqytetin Jaundè.
Kameruni është republikë, ku presidenti ka pushtet të madh. Ai zgjidhet nga populli dhe ka një mandat 7 vjeçar, ndërsa Asambleja kombëtare 5 vjeçar. Në vend jetojnë 17 milion banorë, ndër të cilët 34% janë katolikë, 26% janë animistë ose të besimeve të tjera, 21% myslimanë dhe 17,5 % protestantë.







All the contents on this site are copyrighted ©.