2008-06-16 16:34:57

Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot: popujt nuk duhet të jenë indiferentë kur bëhet fjalë për sigurimin e paqes në botë.


(16.06.2008 RV)Në lutjen e djeshme të Engjëllit të Tënzot, kremtuar menjëherë pas Meshës në Brindizi, shoqëruar me duartrokitje të vazhdueshme, Benedikti XVI i falënderoi përzemërsisht besimtarët për impenjimin në organizmin me sukses të kësaj vizite, që i krijoi mundësitë të kthehej për herë të dytë në Pulie. Në se gjatë homelisë së Meshës vuri theksin tek mëshira e krishterë, sinonime me solidaritetin dhe me ndarjen e përbashkët të të mirave, në Engjëllin e Tënzot, duke i hapur fjalëve të tij horizont botëror, në përkim me fjalimin e mbajtur në OKB prillin e kaluar, Papa dënoi indiferencën ndërkombëtare. Ati i Shenjtë shpjegoi se pikërisht ky qëndrim indiferent i pengon nganjëherë shtetet për t’i parandaluar konfliktet ose për të gjetur rrugë diplomatike të përshtatshme në zgjidhjen e tyre.
Veprimtaria e bashkësisë ndërkombëtare – shpjegoi Benedikti XVI - duke pasur parasysh respektimin e parimeve bazë të rendit ndërkombëtar, nuk duhet intrepretuar kurrë si imponim i padëshiruar ose si kufizim i sovranitetit. Përkundrazi, janë indiferenca e mosndërhyrja ato që sjellin dëm real. Ndjehet fort – nënvizoi Ati i Shenjtë - nevoja të kërkohen mënyra të reja për të parandaluar e për të kontrolluar konfliktet, duke zbuluar çdo rrugë të mundshme diplomatike, duke i kushtuar vëmendje të posaçme e duke inkurajuar edhe shenjat më të zbehta të dëshirës për dialog e pajtim.
Pasi theksoi këtë detyrë që u përket të gjitha kombeve mbi tokë, Papa i lartoi sytë nga qielli e, prej këtyre trojeve të Evropës, iu lut Zojës së Bekuar ta shpëtojë çdo njeri e mbarë njerëzimin:
“Kujdesi i saj amëtar e ndihmoftë qytetin e krahinën tuaj, Italinë, Evropën e mbarë botën nga stuhitë që kërcënojnë fenë dhe vlerat e vërteta; u krijoftë breznive të reja mundësitë të dalin në det të hapur pa frikë, për ta përballuar shtegtimin e jetës me shpresën e krishterë. Mari, Porti i shëlbimit, lutu për ne!”.
Një grumbull pëllumbash, që u lëshuan fluturim, i mbarti simbolikisht mbi flatra, fjalët e Atit të Shenjtë nga porti, në qytetin i cili, njëmijë vjet pas vizitës së papës së fundit, do ta ruajë gjatë kujtimin e këtij shtegtimi papnor përmes seminarit dioqezan, pagëzuar me emrin e Benediktit XVI.







All the contents on this site are copyrighted ©.