Në Saragozë të Spanjës, u hap ekspozita "Uji dhe zhvillimi i qëndrueshëm"
(16.06.2008 RV)U hap mbrëmë në Saragozë, Ekspozita Ndërkombëtare mbi “Ujin
dhe Zhvillimin e qëndrueshëm”, e cila ka për qëllim të tërheqë vëmendjen mbi përdorimin
e ujit, sidomos të atij të pijshëm. Përurimi u bë mbrëmë nga mbreti spanjoll Huan
Karlos. Ekspozita është e ndërtuar në 25 hektarë tokë dhe për tre muaj me radhë në
të do të mbahen 5 mijë shfaqje. 32 mijë ekspertë do të konfrontohen mbi mungesën e
ujit të pijshëm, apo të arit blu, siç quhet tashmë. Pritet që ekspozita të vizitohet
nga 6 milion e gjysëm persona. Ajo është financuar nga mëse 100 vende, të cilat do
të paraqiten me propozimet dhe idetë e tyre për zgjidhjen e problemit të mungesës
së ujit në planet. Është e pranishme edhe Selia e Shenjtë, e cila në Pavionin
e realizuar nga arkitekti Hoakin Sisiljà Karnisèr, i propozon vizitorit një reflektim
me tri etapa. Temat janë: “Uji, jeta dhe shpresa”, “Uji dhe arti në historinë e Shpëtimit”,
“Uji, pasuri për të gjithë, në favor të të gjithëve”. Nga data 10 deri më 12 korrik,
në prag të ditës që ekspozita i kushton Selisë së Shenjtë, do të zhvillohet një kuvend
ndërkombëtar me titull: “Çështja ekologjike: jeta e njeriut në botë”. Sot, në botë,
një ndër tre presona vuan nga mungesa e ujit, një e pesta e popullsisë botërore nuk
ka ujë të mjaftueshëm dhe përdorimi industrial i ujit ndryshon nga 10% në vendet e
varfëra në 59% në ato të pasura. Ekspozita dëshiron të tërheqë vëmendjen e qeverive
ndaj zgjidhjeve që do të propozohen, në mënyrë që ato të marrin impenjime ndërkombëtare,
sipas së ashtuquajturës “Kartë e Saragozës”.