2008-06-16 14:15:47

Me një akademi solemne mbrëmë u shenua fuqizimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës


(16 .6. 2008 R.V. nga QIK-u)- Mbrëmë në një akademi solemne, ku morën pjesë udhëheqësit më të lartë kosovarë, si dhe përfaqësues të shumtë të pranisë civile e ushtarake ndërkombëtare në Kosovë, është shënuar fuqizimi i Kushtetutës së Kosovës. Hyrja në fuqi e Kushtetutës së Kosovës paraqet një datë historike që pasohet nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt, ka thënë sot presidenti Fatmir Sejdiu, në akademinë solemne në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, me rastin e fuqizimit të Kushtetutës së Kosovës. Në këtë akademi për herë të parë është intonuar himni i sapomiratuar i Kosovës, ku kanë marrë pjesë edhe personalitete të larta të jetës politike kosovare, si edhe përfaqësues të shumtë ndërkombëtarë nga misionet, ambasadat dhe zyrat diplomatike. Presidenti i Republikës Fatmir Sejdiu, në fjalimin e tij tha se Kushtetuta është "bibla dhe kurani" për Kosovën dhe se ajo garanton barazi të plotë mes njerëzve dhe komuniteteve pa dallim. "Kushtetuta jonë ngërthen zgjidhje moderne kushtetuese që vijnë nga trashëgimia demokratike, por edhe zgjidhje të veçanta për rrethanat dhe specifikat e Kosovës, si shoqëri shumetnike, me një shumicë dërrmuese shqiptare dhe me komunitetet pakicë, të cilave u jepen garanca të fuqishme për të drejtat dhe privilegje, të cilat janë shenjtëruar në Kushtetutë, pasi ishin pranuar si dispozita të Pakos së Presidentit Ahtisari për Kosovën". Përveç Kushtetutës së koduar, tha më tej Presidenti Sejdiu, Kosova ka miratuar edhe ligjet që rezultojnë nga Pakoja e Ahtisarit të cilat përmbushin obligimin tonë karshi qytetarëve tanë dhe botës, para së cilës "jemi zotuar se do ta zbatojmë këtë Pako, që ka dalë si zgjidhje kompromisi në procesin ndërkombëtar për përcaktim të statusit të Kosovës". Pasi kujtoi se 17 shkurti i 2008 shit ka hyrë në historinë e Kosovës e të botës si dita e pavarësisë së vendit tonë, ai tha se tani, katër muaj muaj pas vendi ka njohjen e 43 shteteve anëtare të OKB së, dhe se Kosova është shtet që ka lindur mbarë. "Pavarësia jonë është njohur nga 7 nga 8 vendet e G 8 shit dhe nga më shumë se dy të tretat (2/3) e vendeve të BE së. Presim njohje të tjera". Presidenti Sejdiu theksoi si detyrë imediate integrimin e Kosovës në strukturat euro atlantike, që siç tha, "është prioritet mbi të gjithë të tjerët", sepse, për të hyrë në BE dhe në NATO , tha se duhet njohja e të gjitha vendeve anëtare të këtyre institucioneve dhe plotësimi i kritereve për anëtarësim në të dyja organizatat. Me këtë ai kujtoi vitet e rezistencës dhe të vitet e rimbëkëmbjes së vendit: "Nëntë vitet e rezistencës politiko ushtarake (1990 1999), që sublimohen në figurën e Presidentit historik Ibrahim Rugova dhe shembëlltyrën e komandantit legjendar Adem Jashari, dhe nëntë vitet e rimëkëmbjes fillestare të vendit tonë në rrethana të lirisë (1999 2008) kanë krijuar Republikën e Kosovës që e kemi sot. Në pranverën e vitit 1999, aleanca veriatlantike NATO, lidhja më e fuqishme politiko ushtarake në historinë e njerëzimit, u vu në mbrojtje të vlerave humane - kundër barbarisë dhe përpjekjes për shfarosje të popullit të Kosovës. Populli i Kosovës do të jetë përherë mirënjohës për këtë ndërhyrje që i dha fund barbarisë dhe solli paqen në vendin tonë dhe në rajon. Kjo ishte luftë në shërbim të paqes". Presidenti Sejdiu tha se shteti i Kosovës do të ketë edhe sfida të shumta, ndërsa ka tendenca nga Beogradi që jo vetëm ta tensionojë gjendjen në Kosovë dhe në pjesën veriore të saj, por edhe ta cenojë qenien e Republikës së Kosovës si shtet, paralajmëroi Presidenti Sejdiu me këtë rast. Por, ai shtoi se këto sfida Kosova do t'i përballojë në bashkëpunim me mekanizmat ndërkombëtarë, të pranishëm në Kosovë. "Aktualisht nuk ka, por do të ketë sundim të ligjit në gjithë territorin e Kosovës. Republika e Kosovës do të jetë unike, territoriaisht dhe funksionalisht, pavarësisht problemeve me të cilat ballafaqohemi sot strukturat paralele që I sponsorizon Serbia në Kosovë, me qëllim që të sfidojë rendin dhe ligjin e shtetit tone dhe madje edhe vetë ekzistencën e Republikës sonë" u shpreh Presidenti Sejdiu. Një mesazh kundër cenimit të tërësisë territoriale të Kosovës nga ana e Beogradit, ka adresuar kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi. Ai ka kritikuar edhe një pjesë të bashkësisë ndërkombëtare, si tha ai, për angazhimet që t'i kthejë prapa proceset në Kosovë. "Janë tepër shqetësuese tendencat e disa qarqeve ndërkombëtare për prapakthimin e proceseve në Kosovë, që në kuptim më të butë të fjalës nuk i kontribuojnë zgjidhjeve, paqes, sigurisë e stabilitetit", theksoi Krasniqi. Ai theksoi se Kosova po e ndërton mirëbesimin dhe po e gëzon respektin ndërkombëtar, në saje të politikës së drejtë të brendshme dhe të jashtme si dhe me përpjekjet për Kosovën e re demokratike dhe evropiane. "Në vitin e dhjetë të fitores, Kosova po hyn si shtet i pavarur, sovran e demokratik, me rend të ri kushtetues e simbole shtetërore, me një stabilitet politik dhe frymë të tolerancës e të pajtimit ndëretnik. Kosova demokratike është atdhe i lirë i qytetarëve të saj të lirë dhe të barabartë, është shtet i së drejtës dhe i vlerave më të përparuara moderne", theksoi kryeparlamentari Krasniqi. Ndërkaq, kryeministri Hashim Thaçi tha se nga sot, Kosova merr një dimension të ri, fiton kushtetutshmërinë. Ai shtoi se nga kjo datë institucionet vendore i marrin mbi vete të gjitha përgjegjësitë kushtetuese, që u takojnë dhe nënvizoi se me këtë ditë, po sendërtohet lufta e gjatë e Kosovës për liri e pavarësi. "Kjo është dita e Kushtetutës. Kjo është Kushtetuta e sakrificës, e gjakut, e djersës së popullit tonë, kjo është Kushtetuta e vizionit tonë për të ardhmen. Kjo është Kushtetuta e parë e vullnetit politik të qytetarëve të Kosovës në historinë politike të saj", tha Thaçi, duke shtuar se "me këtë Kushtetutë krijohen mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët e Kosovës". Ai vlerësoi se hyrja në fuqi e Kushtetutës së Republikës së Kosovës është edhe një hap i madh në rrugëtimin e lirisë sonë, duke thënë se "nuk duhet të harrojmë se kishim përkrah miqtë tanë ndërkombëtarë, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Prandaj populli ynë i shpreh mirënjohje dhe i falënderon përgjithmonë".
***************
U fuqizua Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Prishtinë, 16 qershor 2008.- U fuqizua Kushtetuta e Republikës së Kosovës, dokument ky modern i cili përmban parimet themelore për ndërtimin e shtetësisë. Institucionet e vendit do të marrin mbi vete shumë nga përgjegjësitë, që deri tash i ka ushtruar UNMIK u, i cili pritet të rikonfigurohet në pajtim me zhvillimet politike në Kosovë.Me dokumentin më të lartë juridik, Republika e Kosovës përcaktohet si shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera, e cila qeveriset në mënyrë demokratike. Kushtetuta e Republikës së Kosovës ka 14 kapituj dhe 150 nene dhe si e tillë avancon rolin e Presidentit të Kosovës, i cili do të jetë komandant suprem i Forcës së Sigurisë së Kosovës, e cila pritet të themelohet.







All the contents on this site are copyrighted ©.