2008-06-15 18:12:29

Prishtina në festë: hyri në fuqi Kushtetuta e Kosovës. Me ne, Imzot Dodë Gjergji.


(15.06.2008 RV)RealAudioMP3 Katër muaj pasi autoritetet e Prishtinës shpallën pavarësinë nga Beogradi e pavarësisht nga kundërshtimet e palës serbe, sot hyri në fuqi Kushtetuta e Kosovës. Teksti, me 41 ligje, hartuar duke u mbështetur në ‘Paketën Ahtisari’ dhe miratuar njëzëri nga parlamenti kosovar më 9 prillin e kaluar, u nënshkrua nga presidenti Fatmir Sejdiu. Është hera e parë që një president kosovar vë firmën mbi akte ligjore, deri tani të nënshkruara nga kreu i UNMIK-ut, organizëm i OKB-së, që administron Kosovën qysh nga viti 1999 e që tani përgatitet t’ia dorëzojë detyrën një misioni të Bashkimit Evropian.
E sonte Prishtina ishte në festë.
Natyrisht në këtë atmosferë festive ka pjesën e vet edhe Kisha katolike, që vijon prej kohe përpjekjet për njohjen e plotë të pavarësisë së vendit. Mjafton të kujtojmë se të enjten e kaluar ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji, u takua në Vatikan, me sekretarin e Shtetit të Shenjtërisë së tij, kardinalinTarçizio Bertone dhe me personalitete të tjera. Por, ta dëgjojmë vetë Prelatin:RealAudioMP3 E pikërisht sonte Misioni i OKB-së, Unmik, duhet t’ia dorëzonte detyrën misionit civil Eulex, miratuar më 16 shkurtin e kaluar nga Bashkimi Evropian. Misioni i ri, i paraqitur nga sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, shkaktoi reagime shumë negative si nga ana kosovare, ashtu edhe nga ajo serbe. Mbi situatën rëndojnë edhe përçarjet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, që nuk është shprehur akoma në favor të pavarësisë, për shkak të kundërshtimeve të Kinës e të Rusisë. Por as Evropa nuk ka gjetur akoma një vijë të përbashkët, përderisa Spanja, Greqia, Qipro e Rumania e shikojnë njohjen zyrtare si rrezik serioz për stabilitetin brendshëm të vende të tyre.







All the contents on this site are copyrighted ©.