2008-06-15 18:02:17

Papa gjatë vizitës në Brindizi:‘Të jeni të dhembshur si Krishti me njerëzit e varfër e të ligshtë’.


(15.06.2008 RV)RealAudioMP3 “Banorët e qytetit të Brindizit të jenë simbol e mjet i dhembshurisë e i mëshirës së Krishtit’. Kjo është porosia kryesore e Benediktit XVI në qytetin puliez, ku sot paradite kryesoi Meshën Shenjte. Papa e përfundoi shtegtimin e dhjetë baritor në Itali, duke u takuar me klerin vendas, ndërsa në mesditë, si zakonisht, kremtoi lutjen e Engjëllit të Tënzot, gjatë së cilës u bëri thirrje të gjitha kombeve t’i kundërvihen indiferencës e të punojnë së bashku për paqen në botë.
‘Jo pietizëm, por solidaritet. Jo asistencializëm, por ndarje e përbashkët e pasurive’. Kjo është mëshira e vërtetë e krishterë, që i hap rrugën shpresës për të ardhmen, sepse i ka themelet në Hyjin. E pikërisht kjo mëshirë e kjo dhembshuri, sipas porosisë së Papës, duhet ta dallojë Kishën dhe shoqërinë brindiziane e pulieze, ashtu si gjithë Kishën katolike.
Njëmijë vjet pas pranisë së një pape në këto troje, fjalët e Benediktit XVI i shndërruan viset jugore të Italisë, udhëkryqe trafikësh e djerse të derdhur pa fryt, në një hapësirë reflektimi shpirtëror. Në Portin e Brindizit, që sot u kthye në një Shesh të Shën Pjetrit mbi det, u mblodhën shtatëdhjetë mijë vetë, ndërmjet të cilëve, shumë të rinj. E Ati i Shenjtë duke ua njohur mirë shqetësimet e problemet, i ftoi të jenë misionarë në trojet e tyre e të ecin në gjurmët e Apostujve: burra që Jezusi i thirri – tha Papa – jo pse ishin shenjtorë, por për t’u bërë të tillë.
Me veshjen kishtare, qepur për këtë rast me pëlhurë tipike brindiziane mesjetare, Benedikti XVI e kryesoi Meshën në elterin e madh në portin e Brindizit, portë e hapur drejt Lindjes, gjë që u theksua më shumë edhe nga prania e metropolitit ortodoks të Italisë, Genadios, të cilin Papa e përshëndeti, duke i kujtuar thirrjen ekumenike të Kishës së Brindizit. E pikërisht këtë Kishë Ati i Shenjtë e porositi të jetë e mëshirshme me të gjithë, duke nënvizuar edhe tiparin themelor të mëshirës së krishterë:
“Mëshira e krishterë nuk ka asgjë të përbashkët me pietizmin, apo hipokrizinë fetare, e as me asistencializmin. Ajo, sinonime me solidaritetin dhe me ndarjen e përbashkët të të mirave, gjallërohet nga shpresa. Thua nuk lind nga shpresa fjala që Jezusi u thotë Apostujve të vet: ‘Gjatë rrugës, predikoni se mbretëria e Hyjit është afër?’. E kjo shpresë bazohet tek ardhja e Krishtit, që në fund të fundit përkon me Vetjen e tij e me misterin e tij të shëlbimit, siç kujtohet në titullin e takimit të katërt kishtar italian, kremtuar në Veronë: ‘Krishti i ngjallur është shpresa e botës".







All the contents on this site are copyrighted ©.