2008-06-15 15:45:36

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës: 'Kamilo de Lelis, vigani i bamirësisë'.


(15.06.2008 RV)Zoti nuk na braktis, edhe kur e fillojmë jetën me këmbë ters. Përkundrazi. Na e dëshmon këtë Kamilo de Lelis. Është 25 vjeç e napolitanët mendojnë se nuk vlen dy para. Jeton me punë të parregullta e nuk mund të rrijë pa vënë orë e çast baste. As ushtria nuk e bën të vërë mend...
Në shkurt të vitit 1575, shkon në një kuvend rregulltarësh kapuçinë për të çuar ushqime. Frati që ia hap portën, mbetet pa mend, kur shikon atë alamet vigani, dy metra të gjatë e, sidomos, kur ia ngul sytë syve të tij, të mbushur me një trishtim të thellë.
Kapuçini nuk e lë të ikë, pa i treguar shembëlltyrën e Djalit plëngprishës.
“Hyji është Atë për ty e për mua... nuk na gjykon, por pret me duresë që ti, biri i tij, ta gjesh rishtas rrugën e jetës së vërtetë...”.
Duke u kthyer në shtëpi, Kamili shpërthen në vaj e nis të lutet: “O Zoti im, që nuk të kam njohur, as nuk të kam dashur”.
Merr menjëherë një vendim: do të trokasë në portën e kapuçinëve, për të mos u larguar më. Do të hyjë në kuvend. Thjeshtësia e tij e shpirti i flijimit, i mrekullojnë të gjithë rregulltarët, të cilët e mbiquajnë ‘Kokulur’.
Por kur ishte ushtar në Spanjë, Kamili qe plagosur rëndë në njërën këmbë. Tani plaga i hapet rishtas, nga fërkimi me zhgunin e vrazhtë. Kështu i duhet të shkojë për t’u mjekuar në Romë, në spitalin e Shën Jakut. Por sapo arrin... ndjen një tmerr të papërshkrueshëm. Ndërsa fasada e ndërtesës është mahnitëse, pa hyrë mirë brenda, ndjehet duhma e padurueshme e plagëve të qelbëzuara... Dhomat nuk ajrosen kurrë. Kamilit i duhet ta thithë këtë ajër të qelbur për katër vjet me radhë. Sapo shërohet, rikthehet tek kapuçinët. Por plaga i hapet përsëri e nuk mund të rrijë më në kuvend.
Po ku të shkojë? Si t’ia bëjë për t’i shërbyer Zotit? Nuk ka studiuar, nuk është i pasur, nuk ka talent tjetër, veç forcës. Vendos të rikthehet në spital, për të ndihmuar si e sa mundet. E pranojnë. Kur bëhet ekonom, vë rregulla të reja higjienike: të sëmurët që shtrohen në spital, para se të shkojnë në dhomat e tyre, duhet të bëjnë banjë; pastaj mund të shtrihen në krevatin e shtruar me çarçafë të pastër, vendosur në një dhomë, ku ndërrohet vazhdimisht ajri.
Më 26 maj 1584, në moshën tridhjetë e katër vjeçe, Kamili de Lelis shugurohet meshtar dhe themelon një shkollë të re bamirësie, që i kushtohet të sëmurëve. Kur Roma shkretohet nga kolera, ndjehet shumë dora e kamilianëve, të cilët nuk e kursejnë as jetën, për t’i ndihmuar njerëzit, që shuhen rrugëve. Vigani Kamil i mbart një nga një në krahë të sëmurët në katin e sipërm. E, pas kësaj veprimtarie, nisin ta thërresin ‘vigani i bamirësisë’.Shën Kamili vdes më 14 korrik 1614, pasi ka themluar tetëmbëdhjetë shtëpi pritjeje e spitale, në të cilat ka vend për gjithë njerëzit e sëmurë.







All the contents on this site are copyrighted ©.