2008-06-14 18:10:07

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 11-të 'A'


(14.6.2008 RV)RealAudioMP3 Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 11 gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik të Kishës.
Leximet biblike të kësaj së diele na ndihmojnë ta zbulojmë e njohim Kishën si bashkësi të të thirrurve e të të dërguarve. Mesha e kësaj së diele na paraqet njërin prej momenteve më thelbësor e kyçe të jetës së Jezusit: thirrjen e të dymbëdhjetë apostujve dhe dërgimin e tyre për të predikuar lajmin e mirë dhe për t'i liruar e shpëtuar nevojtarët, të varfërit e mëkatarët.
Cdo gjë fillon me dhembëshurin që Jezusi ndjen e ka për turmen e popullit. Duke shikuar turmen përreth, Jezusi me siguri ka menduar në tërë gjininë njerëzore që ka nevojë për shpëtim, deri në mbarim të shekujve. E me një vendim "historik", hedh themelet e Kishës së vet. Zoti pra, ka nevojë për njerëzit për një shërbim dashurie, për ta ngritur njerëzimin nga e keqja e nga dhimbja. Për këtë Jezusi i thërret dymbëdhjetë apostujt dhe i dërgon në misionin shëlbimpruerës në gjirin e njerëzimit e të botës.
Liturgjia që kremtojmë këtë të diele, na përkujton se Mbretëria e Zotit duhet të realizohet e të ndërtohet me pjesëmarrjen, kontributin dhe impenjimin e të gjithë besimtarëve. Detyra meshtarake e popullit të Zotit shprehet në një mënyrë krejt të veçantë e të privilegjuar në kremtimin eukaristik.
Kështu, këtë të diele mund ta quajmë e diela e "simpatisë së Zotit për njeriun", po, ky mund të ishte titull i liturgjisë së sotme. Se Zoti ia do të mirën njeriut, nuk është diçka e re, edhe vet zanafilla e njeriut, e përshkruar në faqet e para të Biblës, është një vepër dashurie.
Ndoshta nuk reflektojmë kurrë në mënyrë të mjaftueshme mbi atë që Zoti orvatet në mënyra të ndryshme e përdorë udhë të shumta për të na bërë ta kuptojmë se sa dhe si na do. Nga meditimi i teksteve biblike të kësaj së diele, mund t'i shtojmë edhe një element tjetër thirrjes së pandërprer që na kujton se Zoti vepron në jetën tonë për shpëtimin e lumturinë tone të përjetshme.
Leximi I pare I kësaj së diele nga Libri I Daljes, na ofron tregimin e besëlidhjes mes Zotit e popullit të Izraelit. Pasi përshkruar në mënyrë të përmbledhur lirimin e mrekullueshëm nga Egjipti, leximi përkujton se si Zoti i premton popullit hebraik se nëse ai do ta dëgjojë fjalën e tij, Hyji do të vazhdojë ta mbajë nën mbrojtjen e vet hyjnore.
Në leximin e dytë nga Letra e shën Palit dërguar Romakëve, apostulli na përkujton dashurinë falas të Zotit për çdo njërin prej nesh, për çdo njeri, dashuri të cilën e ka manifestuar në veprën e shëlbimit të kryer përmes Birit të vet. Prandaj, Pali argumenton duke pohuar se pas asaj vepre që Krishti ka bërë për ne, është e pamundur të vihet në dyshim dashuria e tij e vullneti i shpëtimit për të gjithë njerëzit.
Në pjesën e Ungjillit të kësaj së diele, fillon fjalimi i dytë prej pesë fjalimeve, ku Mateu ungjilltar përmbledhë thëniet e mesazhin e Jezusit, pra këtë diele do të dëgjojmë "fjalimin misionar", të cilit i pararijnë konstatimi i nevojës që njerëzit kanë për fjalën e së vërtetës e për ata që e transmetojnë atë.
E tani dëgjues të nderuar ju ftoj t'i dëgjojmë së bashku leximet biblike të dielës së 11-të gjatë vitit, ta dëgjojmë e pranojmë me e fe e me zemër porosinë që Zoti na drejton secilit prej nesh e pastaj homelinë…








All the contents on this site are copyrighted ©.