2008-06-14 18:03:05

Islami dhe dialogu: editorial i drejtorit tonë të përgjithshëm, atë Federiko Lombardi.


(14.06.2008 RV)RealAudioMP3 Kur Mbreti i Arabisë Saudite erdhi për të vizituar Papën në Vatikan, i pati folur për një projekt dialogu ndërmjet feve të mëdha monoteiste. Përvijimet e iniciativës dukeshin akoma mjaft të përgjithshme. Por Sovrani vazhdoi rrugën e tij, e pasi u fol edhe herë të tjera për këtë temë, gjatë ditëve të kaluara në Mekë u zhvillua një Konferencë Islamike Botërore, si fazë përgatitore për fillimin e një dialogu të madh, së pari brenda për brenda Islamit e më pas me krishterimin dhe hebraizmin, me qëllim mbrojtjen e promovimin e dinjitetit të njeriut, të familjes së kërcënuar në identitetin e saj, të paqes ndërmjet popujve. Mbreti vuri në dukje shprehimisht se disa ndjekës të Islamit, viktima të ekstremizmit, e shtrembërojnë nga brenda natyrën e vetë Islamit si fe e paqes. Në Konferencë morën pjesë 500 personalitete dhe intelektualë myslimanë të rrymave të ndryshme të mendimit në të gjithë botën, të cilët, në “thirrjen” përfundimtare, përsëritën “jo”-në e tyre për ndeshjen ndërmjet qytetërimeve, duke ftuar përgjegjësit e popujve të merren vesh e të nxisin kulturën e dialogut.
Ka akoma rrugë të gjatë për të bërë për t’u njohur e për t’u kuptuar mbi të drejtat e njeriut; ndryshimet teologjike do të mbeten të pareduktueshme; gjendja konkrete e shumë pakicave të krishtera në tokë myslimane është dramatike. Gjithsesi, sa më tepër të përsëritet pohimi e të rrënjoset bindja se në emër të Zotit nuk mund të urrehemi, por të takohemi e të dialogojmë, aq më mirë është. Papa Gjon Pali II e pati treguar këtë rrugë në Asizi. Rruga nuk është e thjeshtë për myslimanët, nuk është e thjeshtë për hebrenjtë, nuk është e thjeshtë për të krishterët. Duhet ta vazhdojmë me durim e guxim.







All the contents on this site are copyrighted ©.