2008-06-13 17:28:43

Kryeministri Sali Berisha i pranishëm në festen e shëna Ndout në Laç


(13.6.2008 RV- nga /ATSH-) Kryeministri Sali Berisha, i shoqëruar nga zonja e tij Liri Berisha, përshëndeti sot mijëra besimtarë shtegtarë nga të gjitha anët e Vendit që ndodheshin në Shenjtëroren e shëna Ndout, një Kishë që ngrihet në malin e qytetit të Laçit, zonë kjo me një kulturë prehistorike, ku janë takuar kultura vendase Ilire, sidomos ajo e qeramikës dhe kultura e importuar nga viset romake e greke.
"Shpreh kënaqësinë që jam këtu për t'u lutur me ju, për të shprehur besimin dhe shpresën se sakrificat, si ana më fisnike e njeriut, do të shndërrohen në mirësi për të gjithë shqiptarët", tha Kryeministri Sali Berisha, i cili mori pjesë dhe në Meshën e kremtuar me rastin e ditës së festës së shenjtorit Shëna Ndoit.
Duke iu drejtuar besimtarëve e shtegtarëve të shumtë, të cilët ndodheshin aty, pavarësisht kushteve të këqija të motit, z. Berisha tha se "erdha këtu me një rrugë të re dhe me dy korsi. Sot kemi bërë një sërë inaugurimesh si në Shën Kollë, Milot, Fushë Kuqe, investime që do të ndikojnë në lehtësimin e jetës suaj".
Kryeministri Berisha, që shoqërohej dhe nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe ministri i PPTT-së, Sokol Olldashi, i shprehu në këtë rast Françeskanëve, por edhe klerikëve të të gjitha besimeve, respektin dhe nderimet më të thella për kontributin dhe përkushtimin e tyre në ndërtimin dhe rindërtimin e besimeve fetare, që forcojnë më shumë se çdo gjë tjetër shpirtin e njeriut, virtytin dhe shpresat e tij".
Ndërsa uroi dhe një herë besimtarët për këtë ditë feste, Kryeministri u shpreh se vitin e ardhshëm dita e Shëna Ndoit do të jetë një ditë edhe më e gëzuar, më e bardhë dhe më e mirë për të gjithë besimtarët shqiptarë.
Kisha e Shëna Ndoit është një ndër Kishat që tërheq numrin më të madh të besimtarëve shqiptarë të të gjitha besimeve. Furgonët, autobusët, gjithfarë targash e markash, sjellin një lumë njerëzish nga viset Verilindore, Shkodra, Lezha, Mati, Dibra, por dhe nga Tirana e krahinat jugore, madje dhe nga Kosova e Maqedonia. Në muajin qershor numri i shtegtarëve vjen gjithnjë në rritje, për të arritur në shifrën e 1 milion njerëzve më 13 qershor të çdo viti, datë kur dhe ka ndërruar jetë Shëna Ndou.
Shtegtarët të të gjitha moshave kryesisht ecin në këmbë në shenjë të fesë në Zotin e nderimit të shëna Ndout megjithëse ka një rrugë makine. Ata ndezin qirinjtë, lutën në çdo gjurmë që simbolizon rrugën e vështirë por të vetme që sjell te Zoti, të cilën e ka përshkuar Shëna Ndou.







All the contents on this site are copyrighted ©.