2008-06-13 17:06:40

Bush në audiencë tek Papa. Një takim familjar, në atmosferë miqësore


(13.06.2008 RV)Presidenti amerikan Bush në audiencë tek Papa Benedikti XVI në përfundim të vizitës së tij në Romë.
Janë lutur sëbashku në prill, në studion ovale të Shtëpisë së Bardhë e sot, para Shpellës së Zojës së Lurdës, në fund të një shëtitjeje në Kopshtet e Vatikanit, ku Benedikti XVI dhe Xhorxh Bush dëgjuan këngët kishtare të ekzekutuara nga “pueri cantores” e Kapelës Sikstine. Të ulur në karrige druri, para një tavoline nga ato që përdoren në oborr, mbi një tapet që të kujtonte takimet në Kemp Dejvid, Papa dhe presidenti amerikan dëgjuan me vëmendje “Exultate Deo” të Gjon Pierluigjit nga Palestrina dhe Alma Redemptoris Mater të mons. Xhuzepe Libertos, maestros së Sikstinës.
Në bisedën e përzemërt me presidentin Bush, Papa Racinger falenderoi së pari për pritjen e bërë në SHBA dhe në Shtëpinë e Bardhë gjatë udhëtimit të tij në prill, si edhe për impenjimin në mbrojtje të vlerave morale themelore. Më pas, u fol për temat kryesore të politikës ndërkombëtare: marrëdhëniet ndërmjet SHBA-ve dhe Evropës, Lindjen e Mesme dhe impenjimin për paqen në Tokën e Shenjtë, globalizimin, krizën ushqimore dhe tregtinë ndërkombëtare, e së fundi, edhe për arritjen e objektivave të Mijëvjeçarit.
Një audiencë me protokoll në stil familjar. Kortezhi presidencial hyri në Vatikan pak para orës 11. Benedikti XVI e priti Bushin në hyrje të Kullës së Shën Gjonit. Në orën 10.54 shtrëngimi i duarve ndërmjet Papës dhe presidentit, i cili përsëriti disa herë se e ndjen veten “të nderuar” për pritjen që iu rezervua. Sëbashku me presidentin ishin të pranishëm edhe bashkëshortja Laura dhe ambasadorja amerikane pranë Selisë së Shenjtë, Meri En Glendon. Skenari i këtij takimi ishte krejt i veçantë. Kulla e Shën Gjonit është një ndërtesë mesjetare e ristrukturuar në kohën e Papës Gjoni XXIII dhe shërben për strehimin e miqve të nderit të Atit të Shenjtë. Biseda private ndërmjet Benediktit XVI dhe presidentit amerikan zgjati rreth gjysëm ore dhe u zhvillua në studion e katit të parë të kësaj ndërtese.
Presidenti Bush pati rastin të admironte pamjen që shtrihej para syve të tij nga maja e Kullës së Shën Gjonit, nga e cila Papa i tregoi qytetin e Romës dhe Kupolën e Bazilikës së Shën Pjetrit. Në shkëmbimin tradicional të dhuratave, Zonja e parë amerikane vuri në dukje se si të dyja palët kishin menduar pothuaj të njëjtën gjë. Bush i dhuroi Atit të Shenjtë një fotografi të vetën me firmën e tij e të Laura Bushit të inçizuara në kornizë dhe një album me fotografi nga vizita e Papës Benedikti XVI në SHBA. Papa Racinger, nga ana e tij, i dhuroi presidentit një fotografi të autografuar të vetën dhe katër vëllime mbi Bazilikën e Shën Pjetrit.
Gjatë shëtitjes që vijoi, Papa bëri ciceronin për mikun e nderuar. Të dy u ndalën në veçanti para Këmbanës së Jubileut 2000 e më pas, dëgjuan homazhin muzikor për ta para Shpellës së Lurdës, riprodhim i asaj të Masabielës, dhuratë e francezëve për Leonin XIII në vitin 1902. Bush pyeti sa i madh është Shteti i Vatikanit e prefekti i Shtëpisë Papnore, kryeipeshkvi amerikan Xhejms Harvej u përgjigj: “është më i vogël se Teksasi”. Gati, replika e presidentit: “po është shumë më i rëndësishëm”. Në këtë frymë përfundoi vizita e presidentit amerikan Xhorxh Bush në Vatikan dhe takimi i tij me Papën Benedikti XVI.







All the contents on this site are copyrighted ©.