2008-06-12 17:15:00

U paraqit në Vatikan, 'Instrumentum Laboris' dokumenti për Sinodin e ardhshëm të ipeshkvijve, që ka në qendër impenjimin baritor dhe misionin


(12.06.2008 RV)Ta njohim e ta duam Fjalën e Zotit për të përforcuar, nëpërmjet saj, bashkimin kishtar, për të gjallëruar misionin, për të rinovuar bamirësinë e përballuar problemet e njeriut të sotëm: këto janë objektivat e Sinodit të Ipeshkvijve, që do të zhvillohet në Romë nga data 5 deri më 26 tetorin e ardhshëm. Me temë “Fjala e Zotit në jetën dhe misionin e Kishës”, sinodi do të ketë në qendër të vëmendjes impenjimin baritor dhe misionar, siç shpjegon Instrumentum Laboris e paraqitur sot paradite në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë.
Dokumenti është fryt i reflektimit të 13 sinodeve të ipeshkvijve të Kishave Lindore Katolike sui iuris, të 113 Konferencave Ipeshkvnore, të 25 Dikastereve të Kuries Romake dhe të Bashkimit të Eprorëve të Përgjithshëm. Duke reflektuar mbi Fjalën e Zotit, ipeshkvijtë do të diskutojnë se si të stimulohet dashuria e thellë për Shkrimin Shenjt, që besimtarët ta konsultojnë lirisht, si të nxitet Lectio Divina, si të zbulohet lidhja ndërmjet Fjalës së Zotit dhe liturgjisë. Këtë nënvizoi sekretari i përgjithshëm i Sinodit, imzot Nikola Eteroviç, i cili shpjegoi edhe përmbajtjen e Instrumentum Laboris. Dokumenti është i ndarë në tri pjesë. Së pari, Misteri i Zotit që na flet; së dyti, Fjala e Zotit në jetën e Kishës e së treti, Fjala e Zotit në misionin e Kishës.
Duke kujtuar se sot Bibla – libri më i përhapur e më i përkthyer – mund të lexohet në 2.454 nga 6.700 gjuhë në të gjithë botën, imzot Eteroviç nënvizoi se ajo lexohet pak. Për shembull, në Itali, vetëm 38% e praktikantëve e ka lexuar gjatë 12 muajve të fundit. E pikërisht për faktin se Shkrimi Shenjt ndriçon jetën e secilit, sjellja e çdo besimtari para tij, sipas imzot Eteroviçit, duhet të jetë kjo:
“Karakterizohet nga dëgjimi: Zotit që flet e kemi për detyrë t’i bindemi me fe e të lëshohemi në duart e tij, të lirë nga vetvetja. Kjo ndodh në nivel personal e komunitar, në bashkim me Kishën. Prandaj, Fjala e Zotit e shndërron jetën e atyre që e dëgjojnë dhe përpiqen ta zbatojnë në praktikë”.
Instrumentum Laboris i kushton më pas një kapitull, marrëdhënieve ekumenike dhe ndërfetare, pa harruar lidhjet e Biblës me ata që e deklarojnë veten larg nga Kisha e madje edhe jo besimtarë. Ky është dialogu, që zakonisht shoqëron misionin, pohoi imzot Eteroviç, duke shtuar se Shkrimi Shenjt është një lidhje e rëndësishme bashkimi me të krishterët e tjerë, anëtarë të Kishave e të bashkësive të krishtera. Në dokumentin e sinodit përmenden edhe fetë e tjera, që kanë shkrimet e tyre të shenjta, si hinduizmi, budizmi, taoizmi e në veçanti, islamizmi. Megjithëse krishterimi është feja e Jezu Krishtit, më tepër se sa e Librit – tha imzot Eteroviç – Shkrimi Shenjt mbetet një bazë e rëndësishme në dialogun ndërfetar, ashtu si për kulturën e shumë popujve:
“Sidomos për të ashtuquajturin Perëndim, për të cilin ky Libër përfaqëson “kodin e madh”, bazën e përbashkët për kërkimin e humanizmit të vërtetë, të cilit, siç pohon Ati i Shenjtë Benedikti XVI, krishterimi i ofron “forcën më të fuqishme të rinovimit e të ngritjes, Dashurinë e Zotit që bëhet dashuri njerëzore””.
Imzot Fortunato Frexa, nënsekretar i Sinodit të Ipeshkvijve e përkufizoi Instrumentum Laboris të Sinodit të ardhshëm “një esé teologjike mbi Fjalën e Zotit”, “një lloj ripërpunimi i Kushtetutës konciliare ‘Dei Verbum’, së kaluar përmes përvojës, meditimit, reflektimit teologjik, praktikës baritore të Kishës në pjesën e fundit të shekullit XX e në agimet e para të shekullit XXI”.
Imzot Frexa vuri në dukje më pas se Sinodi do të flasë mbi temën e shpjegimit të Fjalës së Zotit, detyrë e homelisë, e cila duhet ta paraqesë Shkrimin Shenjt me një gjuhë, që lejon kuptimin dhe aktualizimin e Fjalës së Hyjit në epokën e sotme.
Së fundi, Asambleja XII sinodale do të ketë dy pika të rëndësishme referimi: Sinodin mbi Eukaristinë, për të mbajtur parasysh liturgjinë e Fjalës, dhe Vitin Paolin, për të rigjallëruar hovin misionar të Kishës.







All the contents on this site are copyrighted ©.