2008-06-12 17:07:53

Inkurajimi i Papës Benedikti XVI për ipeshkvijtë e Bangladeshit, barinj të një bashkësie të vogël katolike, me probleme varfërie e diskriminimi


(12.06.2008 RV)Papa Benedikti XVI u takua sot paradite me ipeshkvijtë e Bangladeshit në vizitë ad Limina dhe e inkurajoi bashkësinë e krishterë të këtij vendi me shumicë myslimane ta shpallë Ungjillin me guxim, pavarësisht nga vështirësitë e diskriminimet.
Ati i Shenjtë e falenderoi këtë bashkësi për zhvillimin e saj në një situatë plot sfida shoqërore, për rritjen e numrit të thirrjeve dhe për ndihmën që ajo jep në vende të tjera, në veçanti për seminaristët dhe meshtarët e Koresë. Kujtoi situatën e varfërisë, të izolimit e të diskriminimit në të cilën jeton pakica e krishterë, pa harruar të nënvizojë impenjimin në dialogun ndërfetar:
“Si të krishterët e parë – u tha Benedikti XVI ipeshkvijve të Bangladeshit – ju jetoni si bashkësi e vogël në mes të një popullate shumica e së cilës jo e krishterë”. Është një dëshmi që duhet vazhduar, ashtu siç thotë Ungjilli, duke dhuruar plotësisht vetveten, sepse vetëm kjo sjell gëzim. Për këtë, theksoi Papa, është e nevojshme dëshmia personale e jetës sipas parimeve të krishtera.
Ati i Shenjtë foli për rolin e laikëve, në veçanti në mësimin e katekizmit në përgatitje të Sakramenteve, sidomos të martesës, e cila sipas Papës, duhet kuptuar si “impenjim besnik për gjithë jetën e si rrugë drejt shenjtërisë”. Më pas, Benedikti XVI u bën thirrje ipeshkvijve të jenë tolerantë, të moderuar e të kujtojnë se Kisha katolike përqafon popuj të të gjitha racave e gjuhëve, se nuk kufizohet në një kulturë të vetme apo në një sistem të vetëm politik, shoqëror e ekonomik dhe është në shërbim të krejt familjes njerëzore.
Nën qeverisjen e ushtarakëve deri në vitin 1990, me zgjedhjet e vitit 1991, Bangladeshi kaloi në legjislacionin kushtetues, por me tensione që shpesh e kanë çuar vendin në prag të luftës civile. Përsa i përket fesë, është një vend me 90% të popullsisë myslimane. Të krishterët janë 1% e popullsisë e prej tyre, vetëm 0,2% janë katolikë. Pjesa tjetër janë hinduistë.







All the contents on this site are copyrighted ©.