2008-06-10 17:44:36

Ta edukojmë vetveten me shpresë: kështu Papa Benedikti XVI meshtarëve dhe laikëve të dioqezës së Romës


(10.06.2008 RV)RealAudioMP3 Ta edukojmë vetveten çdo ditë me shpresën që piqet në vuajtje: kështu u tha Papa Benedikti XVI mbrëmë meshtarëve dhe laikëve të dioqezës së Romës, të mbledhur për kuvendin e tyre kishtar në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran. Tema e këtij viti: “Jezusi i ngjallur. Të edukojmë me shpresën në lutje, veprim, vuajtje”:
“Për të edukuar me shpresë, siç është propozimi i këtij kuvendi për vitin e ardhshëm baritor, është e nevojshme para së gjithash, t’ia hapim zemrat, inteligjencën e krejt jetën tonë Zotit, për të qenë kështu dëshmitarët e tij të besueshëm në mesin e vëllezërve”.
Shpresa vjen edhe nëpërmjet lutjes, gjatë së cilës nuk jemi kurrë vetëm. Lutja pastron shpirtin, na çliron nga gënjeshtrat e fshehta, ia hap zemrën Zotit dhe të afërmit. Në përfundim të fjalës së tij, Ati i Shenjtë, si ipeshkëv i Romës, bëri thirrje që besimtarët ta bëjnë të tyrin impenjimin për të përballuar problemet e Qytetit të Amshuar. Për këtë duhet edukim dhe formim, nënvizoi Benedikti XVI, por edhe njohje e problemeve të personave:
“Do të përpiqemi në veçanti të nxisim një kulturë dhe organizim shoqëror më të favorshëm për familjen e mirëpritjen e jetës, përveç vlerësimit të të moshuarve, kaq të shumtë në gjirin e popullsisë së Romës. Do të punojmë për t’u dhënë përgjigje atyre nevojave bazë, që janë puna e shtëpia, sidomos për të rinjtë. Do të ndajmë impenjimin për ta bërë këtë qytet më të sigurtë, por do të veprojmë që të jetë kështu për të gjithë, në veçanti për më të varfërit e që të mos lihet mënjanë emigranti që vjen mes nesh për të gjetur një hapësirë jetese për vete, duke respektuar ligjet”.
Program pune i mirëfilltë për çdo kryeqytet të botës, ky i Papës Racinger në kuvendin e dioqezës së Romës, i cili do të vazhdojë punimet për tri ditë.







All the contents on this site are copyrighted ©.