Dhjetë vjetori i vdekjes së kardinalit Agostino Kazaroli, protagonistit të Ostpolitikës
(09.06.2008 RV)Dhjetë vjet më parë, më 9 qershor 1998, shuhej në Vatikan, në
moshën 83 vjeçare, kardinali Agostino Kazaroli, protagonist në detyrën e Sekretarit
të Shtetit, i së ashtuquajturës Ostpolitik të Selisë së Shenjtë. Fjala është për dialogun
e Kishës Katolike me regjimet komuniste në vitet para rënies së Murit të Berlinit.
Sot, kardinali Anxhelo Sodano, dekan i Kolegjit Kardinalor, kryesoi Meshën e Shenjtë
për shpirtin e imzot Kazarolit në Bazilikën e Shenjtërve Apostuj në Romë. Nesër, kardinali
Kazaroli do të kujtohet në një kuvend në Sallën e Sinodit në Vatikan, të cilin do
ta hapë kardinali Tarçizio Bertone, Sekretari aktual i Shtetit. Natyrisht, nga
Ostpolitika ishte krejtësisht e përjashtuar Shqipëria enveriane, e cila kishte vendosur
ta mohonte Zotin me Kushtetutë e ta persekutonte këdo që e zinte në gojë, apo i shërbente.
Përsa i përket kardinalit Kazaroli, jo të gjithë ipeshkvijtë e Lindjes ishin dakord
me nismat e tij diplomatike, por mbetet i pamohueshëm vullenti i tij i mirë për të
siguruar atë çka ishte e mundur për Kishën e Lindjes, në një kohë kur mbretëronte
Lufta e Ftohtë. I kërkuam një mendim për kardinal Agostino Kazarolin, atij që ishte
për vite me radhë bashkëpunëtori i tij më i ngushtë, kardinalit Akile Silvestrini,
president i Komitetit për kremtimin e 10-vjetorit të vdekjes së Kazarolit: Duhet
të mendojmë se kur ai filloi në vitin 1963, sapo kishte nisur Koncili ekumenik dhe
Papa Gjoni XXIII donte që të vinin ipeshkvijtë e Lindjes. Kazaroli shkoi të takonte
kardinalin Mindszenti, që ishte refugjat në ambasadën e SHBA-ve pas falimentimit të
revoltës hungareze më 1956. Shkoi edhe të shihte kardinalin Beran, i cili qëndronte
në një vend të fshehtë, nga ku i kishte shkruar Papës një letër, ku e pyeste: “Ç’të
bëjmë për Kishën tonë?”. Takimi i Kazarolit me Beranin hapi mundësinë për t’u marrë
me Çekosllovakinë. Më pas, i gjithë impenjimi i tij në negociatat plot durim me Jugosllavinë,
Hungarinë, Bullgarinë, Çekosllovakinë për të rilidhur marrëdhëniet, që ishin ndërprerë
krejtësisht. Element tjetër i Ostpolitikës ka qenë Konferenca e Helsinkit, e nxitur
dhe e kultivuar prej tij. Propozimi pat ardhur nga Lindja dhe kardinali Kazaroli e
pati kuptuar se nëse Selia e Shenjtë do të hynte me të drejta të plota ndër shtetet
anëtare të Konferencës së Helsnikit, do të kishte më legjitimitet në çdo negociatë,
rast për rast. Pra, kjo pjesëmarrje, që filloi më 1972 dhe u kurorëzua me nënshkrimin
e Dokumentit përfundimtar, hartuar nga kardinal Kazaroli, në Helsinki më 1975, dha
mundësinë më pas të bëheshin vizita, negociata e të lidheshin kontakte në të gjitha
vendet. Kujtojmë se Shqipëria i nënshkroi aktet e Konferencës së Helsinkit
vetëm në vitin 1990. Në të bëhej fjalë për sigurinë në Evropë; për bashkëpunimin ekonomik,
shkencor, teknik e ambiental; dhe për të drejtat e njeriut.