2008-06-09 18:00:29

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës: Françesk Saveri ndriçon me Ungjill, Vendin e lindjes së Diellit.


(09.06.2008 RV)“Anjiro, unë po të pagëzoj në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt”.
Françeskut i qeshin sytë. Është tepër i kënaqur nga kremtimi i këtij pagëzimi. E pra nuk është i pari. Që kur arriti në Indi, si misionar, shtatë vjet më parë, ia ka hapur portat e Kishës mijëra burrave, grave e fëmijëve. E pikërisht këtë ka ëndërruar që fëmijë, në sa rritej në prehër të prindërve, në kështjellën e Saverit: të shkonte e ta predikonte Jezusin në fund të botës. Për ta realizuar këtë dëshirë, hyri në Urdhërin e themeluar nga Injac Lojola, duke u bërë rregulltar jezuit. E sapo u shugurua meshtar, u nis menjëherë për në Indi, ku kreu një veprimtari të pashembullt ungjillëzuese.
Po Anjiro nuk është indian. Vjen nga një ishull i lindjes së largët, ishull misterioz, fare i panjohur nga perëndimorët: Japonia. Disa lundërtarë kokëkrisur kanë arritur deri në brigjet Japonisë, po asnjëri nuk ka guxuar të hyjë në Ishull. Kur Anjiro u takua me Françeskun, i foli aq shumë për Japoninë, sa misionarit i lindi një ide: të hipte menjëherë në anije e të nisej drejt këtij vendi. Edhe japonezët, ashtu si të gjithë popujt, duhet ta njohin Krishtin, të takohen me Zotin. E për më tepër, Anjiro i tregoi Françeskut se japonezët janë tepër kureshtarë. “Do të jetë e nevojshme t’u japësh shumë shpjegime, që ta kuptojnë krishtërimin”, i tha Anjiro, “sepse nuk janë si fëmijët, që besojnë menjëherë çdo gjë. Janë tepër të arsyeshëm e kërkojnë aty për aty argumente bindëse. Por në se ti do të arrish t’i bindësh, i ke fituar. Shumë prej tyre do të bëhen të krishterë”.
Pas këtyre fjalëve, tundimi i Françeskut bëhet i papërballueshëm. Prandaj kënaqet kaq shumë që pagëzoi Anjiron: dëshiron të niset një orë e më parë me të për në Japoni. I posapagëzuari do ta ndihmojë shumë në punën për ungjillëzimin e një populli, të cilit nuk ia njeh zakonet, as gjuhën. Disa muaj më pas, Françesku shikon në horizont brigjet e Japonisë. Fillon kështu aventura e madhe. Jezuiti i bie kryq e tërthor ishullit, për të përhapur krishtërimin. Dy vjet më pas niset rishtas, i shtyrë nga një ëndërr tjetër, edhe më e madhe. Dëshiron me gjithë zemër ta bëjë të krishterë Kinën, këtë vend të pafundmë, ku misionarët duhet të fillojnë nga zeroja. Por Françesku vdes në vitin 1552, pak para se të shkelë në trojet e vendit të ëndrrës së parealizuar.
Në Japoni la disa të krishterë, por jo aq sa shpresonte. Megjithatë, ai nuk shqetësohet për të ardhmen. E di se misionarë të tjerë do të vijojnë punën, që fara e hedhur prej tij të mbijë e të rritet. Kina pret Krishtin. Misioni vijon…







All the contents on this site are copyrighted ©.