2008-06-07 16:48:21

Të favorizohet dialogu ndërmjet fesë e arësyes: ftesa që Papa Benedikti XVI u bëri pjesëmarrësve të Simpoziumit evropian mbi temën “Të zgjerojmë horizontet e racionalitetit”.


(07.06.2008 RV)RealAudioMP3 Të favorizohet dialogu i frytshëm ndërmjet fesë e arësyes për t’iu përgjigjur sfidave të modernitetit: kjo është ftesa që Papa Benedikti XVI u bëri pjesëmarrësve të Simpoziumit evropian mbi temën “Të zgjerojmë horizontet e racionalitetit. Perspektivat e filozofisë”. Të promovohet më shumë studimi i filozofisë në universitete e shkolla, u propozoi Ati i Shenjtë profesorëve të universitetit, duke vënë në dukje se si kërkesat e njeriut të sotëm, bazë e fenomenit të modernitetit, duhet t’i shtyjnë të gjithë, sidomos ata që punojnë në nivelin universitar e intelektual, të gjejnë përgjigje, që zgjojnë interesin pikërisht të këtij njeriu. Në këtë kuptim, filozofia duhet të bëhet një lëndë për t’u studiuar nga të gjithë. Në këtë pikpamje, krishterimi, me reflektimin e tij filozofik, mund t’i japë shumë botës:
“Krishterimi, siç kam përmendur në Enciklikën Spe salvi, nuk është vetëm një mesazh informativ, por formativ. Kjo do të thotë se feja e krishterë nuk mund të mbyllet në botën abstrakte të teorive, por duhet të ndërthuret në përvojën historike konkrete, që e prek njeriun në të vërtetën më të thellë të ekzistencës së vet”.
Dialogu i ri ndërmjet fesë e arësyes, përfundoi Papa, nuk mund të bëhet më si dikur, por duhet të niset nga gjendja konkrete e njeriut.







All the contents on this site are copyrighted ©.