2008-06-06 17:53:11

Zhgënjim për rezultatet e mbledhjes së FAO-s në Romë


(06.06.2008 RV)RealAudioMP3 8 miliardë dollarë për të luftuar urinë në botë, por pak strategji, madje edhe ato tepër të mjegullta. Përfundoi dje natën mbledhja e jashtëzakonshme e FAO-s kushtuar emergjencës ushqimore. Pas tri ditësh pune, delegatët e 183 vendeve miratuan mes polemikash, tekstin e Deklaratës përfundimtare. Të pakënaqura Organizatat jo qeveritare, që i konsiderojnë impenjimet e marra të pamjaftueshme. I vetmi argument për të cilin ishin të gjithë pak a shumë dakord është nxitja e ekonomive të bujqve të vegjël. Por edhe këtu ka vend për spekullime. Të dëgjojmë Mario Xhiron nga Bashkësia e Shën Egjidit:
Para së gjithash, problemi duhet konsideruar si strukturor: duhet rishpërndarë në mënyrë të drejtë prodhimi bujqësor botëror, duhet nxitur produktiviteti e këtu luajnë një rol të rëndësishëm edhe bujqërit e vegjël, të cilët janë një hallkë e dobët. Prandaj nuk duhet bërë retorikë mbi gjendjen e tyre, sepse të jesh bujk i vogël në Afrikë do të thotë të jesh në një situatë të rëndë ekonomike. Prandaj, në mbledhjen e G8-ës në korrik e në asamblenë e OKB-së në shtator, duhet parë se cila do të jetë strategjia e përbashkët, sepse derisa të mbetemi në pluralitetin e ideve, që kundërshtojnë njëra-tjetrën e nuk janë aspak konkrete, nuk do të arrijmë ta përballojmë problemin në mënyrë strukturore.







All the contents on this site are copyrighted ©.