2008-06-06 18:05:36

Sërish zgjedhje në 93 zona të Maqedonisë


(06.06.2008 RV)Në Maqedoni zgjedhjet do të bëhen sërish në 93 zona. Në 25 prej tyre, votimet u pezulluan që të dielën, pas dhunës që shkaktoi një të vdekur e 8 të plagosur e për të cilën mbahen akoma në arrest rreth 50 vetë. Në të tjerat, që ndodhen kryesisht në pjesën e banuar nga shqiptarë, ka pasur parregullsi. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, partitë politike kanë në dispozicion 48 orë për t’iu kundërvënë ligjërisht këtij vendimi. Gjithsesi, përsëritja e votimeve mund të bëhet edhe në zona të tjera, që do të rezultojnë pas shqyrtimit të ankesave të bëra deri tani.
Dje, rreth 3000 simpatizantë të Partisë shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim, e udhëhequr nga Ali Ahmeti, protestuan në Shkup kundër dhunës të së dielës. Kjo parti ka marrë më tepër vota se Partia Demokratike e Shqiptarëve, kryesuar nga Menduh Thaçi, por diferenca nuk është e madhe. Përsëritja e votimeve, që do të bëhet më 15 qershor, do të vendosë se cila prej të dyjave do të ftohet në koalicion me partinë e Nikolla Gruevskit, dalë fitimtare nga zgjedhjet.








All the contents on this site are copyrighted ©.