2008-06-06 17:37:56

Në kumtimin e Ungjillit, të vlerësohet dëshira e zjarrtë e popujve aziatikë për Zotin: kështu u tha mes tjerash Papa Benedikti XVI ipeshkëvijve të Malajzisë, të Singaporit e të Bruneit të cilët i priti sot në audiencë në Vatikan me rastin e vizitës së tyre ad Limina Apostolorum.


(06.6.2008. RV)Dialogu mes feve, promovimi i të drejtave njerëzore, mbrojtja e lirisë fetare dhe ungjillëzimi: këto pra ishin temat kryesore, që Papa Benedikti XVI i trajtoi në fjalimin e tij drejtuar ipeshkëvijve katolikë të Vendeve të përmendura, ndërsa në emër të të gjithë ipeshkëvijve të Vendeve aziatike, Atin e Shenjtë e përshëndeti imzot Nikolas Havier Pakiam Murfi, kryeipeshkëv i Kuala Lumpurit.
“Popujt e Azisë, tregojnë një dëshirë të zjarrtë për Zotin”. Mesazhi i krishterë pra, mbillet në një tokë të frytshme. Për të lulëzuar, ky kumtim i Ungjillit nuk duhet të perceptohet nga njerëzit “si importim i huaj, kundër kulturave e traditave” të popujve aziatikë. Duke marrë shkas nga fjalimi i Shën Palit drejtuar banorëve të Athinës, fjalimi i Papës qe një këshillim drejtuar ipeshkëvijve të Azisë, të cilëve Ati i Shenjtë u kërkoi ta paraqesin fenë e krishterë në atë mënyrë që të mishërojë “ thellësinë shpirtërore dhe urtinë morale tipike të pranishme në shpirtin aziatik”.
“Në mënyrë të posaçme, shtoi Papa, duhet garantuar që Ungjilli të mos përzihet me “parimet shekullore të iluminizmit”, që është kaq familjar për krishtërimin Perëndimor, i cili tashmë ka filluar të ketë një ndikim domethënës edhe në vise tjera të botës. E vërteta e Ungjillit, vijoi Papa Racinger, duhet të dallohet nga “materializmi e relativizmi”. Nga ana tjetër, me gjithë kundërshtimin e “diktaturës së arsyes pozitiviste (pragmatiste)” e cila “tentoi ta përjashtonte Zotin nga fusha publike”, duhen pranuar “arritjet reale të Iluminizmit”, posaçërisht rëndësinë që i kushton drejtave njerëzore e lirisë fetare.
Në veprën e ungjillëzimit, Benedikti XVI inkurajon pra ipeshkvijtë të vënë theksin mbi të drejtat njerëzore, të themeluara mbi dinjitetin e njeriut të krijuar në përngjasim me Zotin. Papa nuk mungoi së ripohuari rëndësinë e dialogut ndërfetar, që ka një rëndësi të posaçme për Azinë e jo vetëm. Prandaj u bëri thirrje ipeshkëvijve aziatikë të kërkojnë udhë të reja për një dialog të hapur e të ndershëm me myslimanët, budistët e hinduistët. Njëkohësisht, Papa përkujtoi se në disa vise të Vendeve aziatike, jo gjithmonë liria e plotë fetare është e garantuar e shpesh hasen vështirësi të mëdha në promovimin e mësimit fetar të krishterë nëpër shkolla.
Benedikti XVI i ftoi prelatët të mos e humbasin guximin dhe u kurkoi që përmes mësimit të tyre, të përforcuar nga e Vërteta e Ungjillit, ta promovojnë vizionin unifikues të së mirës së përbashkët, ta favorizojnë rritjen e lirisë fetare e kohezionin sa më të madh shoqëror ndërmjet anëtarëve të grupeve të ndryshme etnike, që mund të sjellin paqen dhe të mirën e përbashkët për mbarë bashkësinë.







All the contents on this site are copyrighted ©.