2008-06-06 17:40:18

Berluskoni në vizitë private te Papa: roli i Kishës, familja e situata ndërkomebtare temat e bisedës


(06.6.2008 RV)Papa Benedikti XVI priti sot paradite në audiencë në Vatikan kreyministrin italian Silvio Berluskoni. Situata shoqëroro-politike italiane e ajo ndërkombëtare, me një vështrim të posaçëm mbi Evropës e të marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Romës e Selisë së Shenjtë. Këto pra ishin temat që karakterizuan takimin privat të Atit të Shenjtë Jozef Racinger me Kryeministrin e Italisë, Silvio Berluskoni. Takimi i sotëm është i treti takim i Papës Racinger me një kryeministër italian në Pallatin Apostolik, pas takimit të parë pikërisht me Berluskonin më 15 nëntor 2005, e atë me Romano Prodin, më 13 tetor 2006.
Një shkëmbim pikëpamjesh mbi situaten italiane deri tek situata në shkallë botërore. Papa Benedikti XVI e Silvio Berluskoni, informon deklarata zyrtare e Selisë së Shenjtë, për 40 minuta të “bisedës së përzemërt kanë shqyrtuar tema që kanë të bëjnë me gjendjen italiane dhe me kontributin e Kishës katolike në jetën e Vendit”, për çka, shpjegon deklarata, Ati i Shenjtë “pati folur në fjalimin e tij të këtyre ditëve drejtuar Asamblesë plenare të Konferencës Ipeshkvnore Italiane”.
Gjithnjë gjatë takimit privat të Papës me Berluskonin, deklarata e Selisë së Shenjtë nënvizon se “janë trajtuar edhe disa çështje lidhur me zbatimin e Marrëveshjeve në fuqi mes Selisë së Shenjtë e Italisë” e më pas është biseduar edhe për “situatën aktuale ndërkombëtare”, nga “gjendja në Lindje të Mesme” tek “perspektivat e zhvillimit shpirtëror, etik e shoqëror të kontinentit evropian”. Të dyja palët, përfundon deklarata e Selisë së Shenjtë, “kanë ripohuar vullnetin e tyre për të vijuar bashkëpunimin pozitiv në nivelin bilateral e në kontekstin e bashkësisë ndërkombëtare”.







All the contents on this site are copyrighted ©.