2008-06-06 17:40:57

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës: Bartolomeo de Las Cazas, mbrojtës i indiosve


(06.06.2008 RV)“Ujq të vërtetë, zotëri!”. Këto fjalë të tmerrshme, të shqiptuara pak më parë me zemërim të thellë nga Bartolomeu de Las Cazas, tingëllojnë shqetësueshëm në veshët e Karlit V. Pra kolonët spanjollë, që jetojnë në Amerikë, në Botën e Re, u sillkan si të ishin ujq me indiosit! Domethënë e çnderokan Spanjën e krishtërimin, duke i mbytur e duke i plaçkitur vendasit e pambrojtur!?
Ka shumë kohë që Karli V merr letra plot me gënjeshtra nga Amerikat: i shkruajnë se kolonët punojnë me të gjitha forcat, për të përhapur kristianizmin, se bëjnë çmos për ndalimin e zakonit të tmerrshëm të flijimit të njerëzve e traditave të tjera çnjerëzore vendase. Në letrat shkruhet se indiosit nuk duan as ta dëgjojnë emrin e Jezusit e se nuk u shkon as nëpër mend të kthehen në fenë e krishterë. Kjo vërteton se nuk janë njerëz, përderisa nuk e pranojnë fenë, që predikon dashurinë.
Por tashti Bartolomeu de Las Cazas ia hapi sytë perandorit. Ky frat domenikan, me sy të zjarrtë, ka jetuar në Amerikë nga viti 1502 deri në vitin 1515, kështu që e ka parë me sytë e tij sjelljen e padenjë të kolonëve. Perandori e di se Bartolomeu nuk gënjen. Masakrat, indianët e detyruar të punojnë si kafshë në plantacionet e kolonëve… pra, gjithçka është e vërtetë! Bartolomeu de Las Kazas, ky njeri i urtë, i pajisur me zgjuarsi të madhe e me dashuri të thellë për njerëzimin, s’ bën tjetër, veçse përshkruan një realitet tepër të hidhur. Si mbetet vetëm, Karli V zë kokën me duar, i lemeritur nga lajmet e reja. Do të jetë sovrani më i fuqishëm i Evropës (ndonëse edhe mbreti i Francës e mba veten si të tillë), por a do të jetë i zoti t’i mbrojë edhe indiosit në bregun tjetër të oqeanit Atlantik? Duhet të kishte dërguar me kohë në Amerikë njerëz me zemër të pastër, që t’i kthenin vendasit me shembullin e tyre. Ndërsa në botën e re kanë shkuar ‘ujq’. E tani, ç’mund të bëjë? Thua mund t’i ndryshojë këto ngjarje të hidhura? Sidoqoftë, duhet të provojë. Në vitin 1542, me këshillën e Bartolomeut de Las Kazas, Karli V shpall Ligjet e Reja, me të cilat u garanton mbrojtjen e vet të gjithë indianëve lëkurëkuq, duke ripohuar me forcë se janë njerëz e se kanë të drejta të barabarta me kolonët. Emëron Bartolomeun ipeshkëv dhe e nis në Meksikë, për ta ndjekur nga afër zbatimin e ligjeve. Por Bartolomeu është një i vetëm e nuk mund të kontrollojë gjithçka. Gjithsesi, misioni i tij si mbrojtës i vendasve vijon: ai është gjithnjë gati të luftojë për ta deri në fund të jetës!







All the contents on this site are copyrighted ©.