2008-06-05 18:11:58

Deziluzionues takimi i FAO-s në Romë


(05.06.2008 RV)RealAudioMP3 Konflikti ndërmjet vendeve pjesëmarrëse në Takimin e nivelit të lartë të FAO-s, që përfundoi në Romë, karakterizoi ditën e sotme, duke vënë në rrezik edhe miratimin e dokumentit përfundimtar, i cili gjithsesi është shumë më deziluzionues nga sa pritej. Temat për të cilat pati më tepër kundërshti ishin biokarburantet dhe liberalizimi i tregtisë së produkteve bujqësore. SHBA-të dhe Brazili, prodhuesit dhe eksportuesit më të mëdhenj të biokarburanteve nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga feta e tyre e tregut, pavarësisht se shumë vende, duke përfshirë edhe Selinë e Shenjtë kanë kërkuar që prodhimi i drithërave për biokarburante të mos e pakësojë tokën për ushqim.
Nga ana tjetër, është vendosur rritja e ndihmave humanitare ndaj vendeve në nevojë. Vetëm Bashkimi Evropian i ka dyfishuar fondet për zhvillim, nga 650 milion euro në 1,2 miliard euro. Por, siç theksoi komisari evropian për zhvillimin, Luis Mishel, ato janë mjete të kufizuara në luftën kundër urisë e varfërisë në botë, për të cilat duhen programe afatgjata e afatmesme. Edhe përsa i përket planit strategjik për të përballuar ndryshimet e klimës, delegacionet nuk janë marrë vesh ndërmjet tyre.
Në një intervistë për Radio Vatikanin, kryeministri italian Silvio Berluskoni kërkoi që OKB-ja t’u kërkojë vendeve prodhuese të naftës një kontribut për t’i bërë ballë gjendjes së shkaktuar pjesërisht edhe nga rritja e çmimit e spekullimet në fushën e energjisë.
Një nga rrugëzgjidhjet e parashikuara nga ekspertët e FAO-s për të dalë nga kriza ushqimore është investimi në ndihmë të bujqve të vegjël e në mbështetje të familjeve fshatare. Të dëgjojmë Katerina Betelon, e departamentit të bujqësisë në FAO:
Në shumë vende, 85% e popullsisë përbëhet nga bujq të vegjël. Të mos merremi me ta do të thotë të mos merremi me 2 miliard e gjysëm persona në botë, një e treta e popullsisë botërore. Prandaj vendosja e bujqve të vegjël në qendër të prodhimit, në qendër të një bujqësie të ekuilibruar është mënyra e vetme për t’u dhënë atyre dinjitet, siguri e për t’i rrethuar me solidaritetin ndërkombëtar, që të mos detyrohen të emigrojnë për shkak të mungesës së punës.
Sot për sot, e dimë se kjo krizë nuk zgjidhet në kohë të shkurtër. Parashikojmë një periudhë prej 4 deri në 10 vjet që prodhimi të shtohet e të krijohen stoqet, të rritet aftësia prodhuese e terreneve, e bujqve. Prandaj, ndryshimi i çmimeve mund të vazhdojë për një kohë të gjatë.







All the contents on this site are copyrighted ©.