2008-06-04 17:29:14

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


4 qershor: Sublimis Deus, Papa ndalon trafikun e skllevërve indios.
“Je përbindsh, Karlos, e si ti janë të gjithë ata që bëjnë zanatin tënd”, thotë me inat Maria.
Zakonisht Maria nuk e sulmon kështu Karlosin. Ky djalosh i pashëm e i fuqishëm është i fejuari, me të cilin do të martohet së shpejti. Është caktuar tashmë edhe data vera e vitit 1535. Gjithë bashkësia e konkuistadores – siç quhen spanjollët që kanë pushtuar Amerikat, gëzohet që tani, kur mendon dasmën. Por Karlosi sapo i ka shpjeguar Marisë si është pasuruar: i ka mbushur xhepat me para duke kapur indios e duke i shitur në tregjet e skllevërve. Për Marinë ky është lajm tronditës. Ajo zbehet, në sa Karlosi qesh: “Je tepër e ndjeshme, e dashur!” – i thotë krejtësisht i çkujdesur.
“Karlos, si mund të flasësh kështu. Pa mendo mirë në ç’rrugë ke hyrë: ti shet njerëz… e pastaj vjen e më thua se je i krishterë!”.
“Për ç’njerëz e ke fjalën? Mari, je në vete? Indiosit janë kafshë. Jetojnë si egërsirat, prandaj nuk duhet të kenë as shpirt. Dëshiron të ta dëshmoj se janë kafshë? Adhurojnë idhujt e, kur u flitet për Jezusin, nuk bëjnë as përpjekjen më të vogël për të kuptuar atë që u thuhet”.
“Mos ma dredh llafin. E di mirë se ju, gjahtarët e skllevërve, e përdorni gjithnjë këtë pretekst, që mua nuk më bind fare. Mund të jesh njeri e të adhurosh idhujt. Edhe romakët adhuronin zotat e rremë. Thua do të marrësh guximin të thuash se edhe Jul Qesari ishte kafshë? E pastaj nuk është aspak e vërtetë se indiosit nuk interesohen për Jezusin. Mjafton të dëgjosh rrëfimet e misionarëve: atë Bernardini i Minaias, që ka qenë në Nikaragua, na përshkruan turmat entuziaste, që kërkojnë të marrin Pagëzimin. E ke dëgjuar edhe ti, me veshët e tu”.
“Mari..”
“Mjaft. E mos më fol më as për martesë. Si mund të bëhem gruaja e një gjahtari njerëzish?”.
Maria nuk e di se në Evropë, Papa Pali III interesohet shumë për çështjen e skllavërisë, tejet i alarmuar nga letrat e misionarëve. Në vitin 1537 shkruan një bulë (bulë quhet një letër e shkruar nga papa), për ta dënuar këtë praktikë të papranueshme: bula është shkruar në gjuhën latine. Titullohet ‘Sublimis Deus’ , sepse nis me këto fjalë. Në të pohohen pikë për pikë bindjet e Marisë: “Indiosit janë njerëz si gjithë të tjerët e […] jo vetëm që janë në gjendje ta kuptojnë fenë katolike, por kanë edhe dëshirë të bëhen katolikë”. Papa ndalon zyrtarisht shitjen e indiosve dhe kumton se gjahtarët e skllevërve do të përjashtohen nga radhët e besimtarëve të krishterë. Pali III e merr tepër seriozisht rolin e tij si kryebari. E detyra e kryebariut është pikërisht të pohojë dinjitetin e të gjithë njerëzve e edhe t’i mbrojë nga padrejtësitë.







All the contents on this site are copyrighted ©.