2008-06-03 18:40:53

Papa i fton besimtarët të luten që çdo i krishterë të ketë miqësi të thellë me Jezusin, për t’ua përcjellë dashurinë e tij të tjerëve.


(03.06.2008 RV)RealAudioMP3 Benedikti XVI i fton besimtarët të luten në muajin qershor, që çdo i krishterë të ketë miqësi të thellë me Jezusin, për t’ua përcjellë dashurinë e tij të gjithtë njerëzve që takon. Ky është ndjeti i përgjithshëm i Papës për apostullimin e uratës. Që në fillim të papnisë së Tij, Benedikti XVI theksoi se feja e krishterë nuk është tjetër, veçse miqësi me Jezusin.
“S’ka gjë më të bukur, sesa ta njohësh Jezusin e t’ia komunikosh edhe të tjerëve miqësinë me Të”: që në Meshën për fillimin e Papnisë, Benedikti XVI i ftoi të gjithë, e posaçërisht të rinjtë, të mos kenë frikë për t’ia hapur zemrat miqësisë me Jezusin: miqësi që kërkon shumë, por që të jep gjithçka:
“Vetëm kjo miqësi t’i hap portat e jetës në të dy kapakët. Vetëm kjo miqësi të ndihmon t’i zbulosh të gjitha aftësitë njerëzore. Vetëm përmes kësaj miqësie mund të provosh atë që është e bukur, që të çliron. Kështu sot, dëshiroj, me forcë e bindje të madhe, duke u nisur nga përvoja e një jete të gjatë personale, t’ju them ju, të dashur të rinj: Mos kini frikë nga Krishti! Ai nuk të merr asgjë, e të dhuron gjithçka. Kush ia dhuron vetveten, merr qindfish. Po, hapjani portat Krishtit – e do të gjeni jetën e vërtetë (Homelia e Meshës për fillimin e papnisë, 24 prill 2005).
Në fillimet e jetës së krishterë – shkruan Papa në Enciklikën ‘Deus Caritas est’ – nuk është ndonjë vendim etik, ose ndonjë ide e madhe, por takimi me një ngjarje të madhe, me një Vetje. Është një takim, nga i cili varet lumturia e njeriut, takim që na ndihmon në çastet më të vështira të jetës:
Gëzimi më i vërtetë gjindet në lidhjen me Të, pasi ta takojmë, ta ndjekim, ta njohim, ta duam, falë tendosjes së vazhdueshme të mendjes e të zemrës. Të jetë dishepull i Krishtit: kjo i mjafton të krishterit. Miqësia me Mësuesin i jep shpirtit paqen e qetësinë e thellë, edhe në çastet më të errta të provës. Kur feja takohet me natën e errët, në të cilën ‘nuk ndjehet’ as ‘nuk shihet’ më prania e Hyjit, miqësia me Jezusin të siguron se asgjë nuk mund të të ndajë nga dashuria e Tij” (Lutja e Engjëllit të Tënzot , 15 janar 2006).
Është e nevojshme – pohon Papa – që Jezusi të jetë miku ynë më i mirë e ne të jemi gati të flijohemi për Të:
Jezusi ka thënë: ‘Dashuria më e madhe që mund të tregojë ndokush, është të japë jetën për miqtë e vet’. Çdo dëshmitar i fesë e jeton këtë dashuri ‘më të madhe’ dhe, duke ecur në gjurmët e Mësuesit hyjnor, është gati të flijojë jetën për Mbretërinë e Hyjit. Në këtë mënyrë bëhet mik i Krishtit; bëhet një me Të, duke pranuar flijimin deri në fund, pa i vënë kufij dhuratës së dashurisë në shërbim të fesë”. (Homelia në Bazilikën e Shën Bartolomeut në Ishullin Tiberin, 8 prill 2008).
Po kush janë miqtë e Jezusit? Kjo do të zulohet plotësisht në gjyqin universal, kur nuk do të gjykohemi sipas fjalëve, por sipas veprave:
“Nuk mjafton ta quash veten mik të Jezusit, duke u mburrur për merita të rreme: “Kemi ngrënë e kemi pirë me ty e ti ke mësuar në sheshet tona” (Lk. 13, 26). Miqësia e vërtetë me Jezusin shprehet në mënyrën si jeton, në mirësinë e zemrës, në përvujtërinë, në butësinë e në mëshirën, në dashurinë për drejtësinë e vërtetësinë, në impenjimin e sinqertë e të ndershëm për paqen e pajtimin. Kjo – mund të themi – është ‘karta e identitetit’, që tregon se jemi vërtetë miqtë e tij të ngushtë; kjo është ‘pasaporta’ që na lejon të hyjmë në jetën e amshuar” (Lutja e Engjëllit të Tënzot 26 gusht 2007).







All the contents on this site are copyrighted ©.