2008-06-03 18:41:31

Kardinali Martino në Kongresin afrikan mbi emigracionin: të respektohen dinjiteti dhe të drejtat e të gjithë emigrantëve.


(03.06.2008 RV)“Për një punë më të mirë baritore me emigrantët dhe refugjatët në Afrikë, në agim të mijëvjeçarit të ri’ është tema e Kongresit kontinental afrikan, organizuar nga Këshilli Papnor i baritorisë për emigrantët dhe endacakët, në bashkëpunim me Konferencën Ipeshkvnore të Kenias. Punimet, që do të vijojnë deri të enjten e ardhshme, i hapi kardinali Rafaele Martino, kryetar i dikasterit. Hirësia e Tij kujtoi aspektet më dramatike të fenomenit dhe haraçin që paguhet çdo ditë: njerëz të vdekur, prostitucion, terrorizëm politik, varfëri, dhunë, urrejtje për të huajin... Duke shpjeguar se fenomeni bën pjesë në historinë njerëzore, kardinali Martino kujtoi se kohët e fundit emigracioni ka marrë përmasa universale e të ndërlikuara. Qeveritë e të gjitha vendeve dhe organizatat ndërkombëtare janë të detyruara të merren drejtpërdrejtë me të e me sfidat e tij. Emigracioni ndërkombëtar, dëbimet ose kërkimi i strehimit – shtoi kardinali Martino – janë gjithnjë të pranishme në agjendën politike botërore. Është e vështirë, prandaj, por edhe e nevojshme, të njihen mirë shkaqet dhe rrënjët e fenomenit, e jo më pak, edhe pasojat e tij shoqëroro-kulturore. Gjithë kjo përbën një listë të gjatë, që kërkon ndërhyrje urgjente. Emigracioni flet për varfëri, që arrin në mjerim të plotë, papunësi të vazhdueshme, ndërvarje financiare, armiqësi, dhunë kundër emigrantëve, refugjatëve ose njerëzve të tjerë të pastrehë.Kisha ripohon se do të vijojë ‘kujdesin e saj amëtar’ për mbrojtjen e dinjitetit të çdo njeriu dhe për respektimin e të drejtave të tij themelore. Kështu u shpreh kardinali Martino e, në vijim, theksoi posaçërisht perspektivën e veprimtarisë baritore. Hirësia e tij i inkurajoi të gjithë ta interpretojnë në mënyrë të re fenomenin e lëvizjes së njerëzve, në sa Kisha është thirrur t’u përcjellë të gjithëve mesazhin e vëllazërimit universal të mbarë kombeve dhe të bashkimit të lirë të kufijve gjeografikë, historikë e kulturor.







All the contents on this site are copyrighted ©.