2008-06-03 18:32:30

FAO: Biokarburantet dhe ndihmat për bujqësinë, problemet kyç për të ardhmen


(03.06.2008 RV)Një plan i përgjithshëm veprimi për të garantuar ushqimin e mjaftueshëm për të gjithë, për të përballuar ndryshimet e klimës dhe për të vendosur norma mbi prodhimin e biokarburanteve. Këto janë problemet e shtruara për zgjidhje në konferencën e nivelit të lartë të FAO-s, që filloi sot në Romë. Marrin pjesë rreth 5 mijë përfaqësues nga 183 vende të botës.
Në hapjen e punimeve të mbledhjes së FAO-s, presidenti i Italisë, Xhorxho Napolitano foli për “krizë dramatike”, zgjidhja e së cilës nuk i duhet besuar vetërregullimit të tregut. Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Mun propozoi një plan strategjik botëror me masa me afat të shkurtër e të gjatë, me qëllim frenimin e rritjes së çmimeve të ushqimeve. Në bazë të këtij plani, do të ndihmohet bujqësia në mënyrë që brenda vitit 2030, prodhimi ushqimor të rritet me 50%. Kjo recetë u mbështet edhe nga drejtori i FAO-s, Zhak Diëf, sipas të cilit nevojiten 30 miliardë dollarë në vit.
Propozimet e liderëve të pranishëm, jo të gjithë dakord me asistencën e propozuar, shkuan nga nënshkrimi i një “karte për sigurinë ushqimore” e deri tek ndihmat ndaj vendeve më të varfëra e heqja e masave mbrojtëse për bujqësinë e vendeve të pasura, sidomos të Bashkimit Evropian e SHBA-ve. Të tjerë vunë theksin mbi problemin e shpërndarjes së produkteve ushqimore, e cila krijon më tepër pabarazi se vetë prodhimi i ushqimeve. Presidenti iranian, Ahmadinexhad, duke kritikuar ashpër Kombet e Bashkuara e “vullnetet djallëzore”, që veprojnë brenda tyre, kërkoi krijimin e një institucioni botëror për të administruar me efikasitet tregun ushqimor të globit, nga prodhimi deri tek konsumi. “Të heqim dorë nga prodhimi i armëve – shtoi ai që akuzohet për programin bërthamor të vendit të vet – askush nuk mund të jetojë pa ushqim”.







All the contents on this site are copyrighted ©.