2008-06-03 18:40:32

Benedikti XVI Takimit të rangut të lartë të FAO-s: sigurimi i ushqimit arrihet me reforma guximtare, të frymëzuara nga dinjiteti njerëzor, pa proteksionizma e spekulime.


(03.06.2008 RV)RealAudioMP3 “Uria dhe ushqimi i pamjaftueshëm nuk janë fatalitet pa rrugëzgjidhje: Planeti ka burime e mjete për t’i ushqyer të gjithë njerëzit, por që të realizohet kjo, duhen bërë reforma të guximshme, që nisen nga ideja e mbrojtjes së njeriut, e jo nga ajo e fitimit”. Është mendimi i fortë i Benediktit XVI, drejtuar përmes kardinalit Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit, Konferencës ndërkombëtare të FAO-s, që u hap sot paradite në Romë. Papa u ndalua posaçërisht tek tema e sigurimit të ushqimit dhe tek rritja e çmimeve, që e kërcënon, duke kërkuar reforma strukturore dhe strategji të reja, si për shembull, hyrjen e bujqve të vegjël në tregjet ndërkombëtare.
Vizion etik. Që vë në krye të vendit njeriun – posaçërisht kur është i uritur – kundër logjikës së kuletës, që e shikon nevojën për ushqim me syrin e parave të fituara nga shitja e tij. E kjo është edhe baza e reflektimit që Papa u ofroi sot presidentëve e kryeministrave të ulur në sallën e FAO-s, ku zhvillohet Takimi i madh, i cili lidhet me një nga problemet e mprehta e të përditshme të jetës së njeriut. Urinë – pohon Papa në mesazhin e tij, lexuar nga kardinali Bertone - nuk mund ta zhdukin mrekullitë e teknologjisë së sotme; aq më pak mund të sigurohet zhvillimi i një vendi të varfër, në se kundër tij janë proteksionizmat e spekulimet. Uria mundet në se politika dhe teknologjia nuk merren thjeshtë me fenomenin e urisë, por me të uriturin, me dinjitetin e tij njerëzor dhe veprojnë të frymëzuara nga kriteri i solidaritetit:
“Në se respekti për dinjitetin njerëzor do të vlerësohej si duhet në tryezën e bisedimeve, të vendimeve e të zbatimit të tyre, pengesat e pakapërcyeshme do të kapërceheshin e do të zhdukej, ose së paku, do të pakësohej, mungesa e plotë e interesimit për të mirën e tjetrit. Si pasojë, do të krijoheshin mundësitë për të ndërmarrë reforma të guximshme, që nuk dorëzohen përballë urisë dhe ushqimit të pamjaftueshëm, e nuk i shikojnë si të ishin sëmundje të pashërueshme ose si fenomene pa rrugëzgjidhje”.
Jo, varfëria e ushqimi i pamjaftueshëm nuk janë thjeshtë fatalitete, të shkaktuara nga moti i keq ose nga fatkeqësitë e tjera shkatërrimtare të natyrës - thekson Papa. Detyrat ndaj atyre që kanë uri – vëren Ati i Shenjtë – nuk duhet t’u nënshtrohen kujdeseve me karakter thjeshtë teknik dhe ekonomik. Por, për fat të keq – vijoi të kujtojë më pas Papa:
Globalizimi në rritje i tregjeve nuk e favorizon gjithnjë shtimin e sasisë së ushqimeve, ndërsa sistemet prodhuese shpesh herë kushtëzohen nga kufij strukturor, e jo më pak nga politika proteksioniste dhe fenomene spekulative, që i flakin popullsi të tëra në skaj të procesit të zhvillimit. Në dritën e një situate të tillë, duhet ripohuar me forcë se uria dhe ushqimi i keq janë të papranueshme, në një botë që ka mundësi të mëdha prodhimi, burime e njohuri të mjaftueshme për t’i dhënë fund një herë e mirë dramave të tilla dhe pasojave të tyre”.
Në këtë skenë lind edhe sfida e madhe – për të cilën Papa foli qartë tri ditë më parë: - Nuk duhen globalizuar vetëm interesat ekonomike e tregtare, por edhe solidariteti!”. Po si? Në radhë të parë - thekson Ati i Shenjtë – pasi ta falënderojnë FAO-n për luftën që po bën kundër urisë, qeveritë duhet të bashkëpunojnë në mënyrë gjithnjë më transparente me organizatat e me shoqërinë civile që impenjohen për të sheshuar hendekun ndërmjet pasurisë e varfërisë. E përveç kësaj, duhen vënë në jetë reformat strukturore që, në nivel kombëtar, janë të domosdoshme për të përballuar me sukses problemet e prapambetjes ekonomike, me pasojë të drejtpërdrejtë urinë e ushqimin e keq. E këtu fjalimi i Benediktit XVI prek nervin e zbuluar të aktualitetit botëror: krizën ushqimore dhe shkakun e saj kryesor, rritjen e çmimeve të prodhimeve bujqësore.
Për Papën një nga rrugëzgjidhjet mund të jetë kjo:
“Duhet rritur sasia e ushqimit, duke modernizuar veprimtarinë e ekonomive të vogla bujqësore e duke u garantuar hyrjen në tregje. Shtimi global i prodhimit bujqësor mund të jetë i frytshëm, vetëm në se shoqërohet me shpërndarje të suksesshme të këtij prodhimi e në se përdoret sidomos për plotësimin e nevojave kryesore të jetesës. Natyrisht, kemi të bëjmë me një udhë jo të lehtë, por që do të krijonte, ndërmjet tjerash, kushtet për rizbulimin e familjes fshatare: ajo nuk mjaftohet të transmetojë vetëm sistemet e kultivimit, të ruajtjes e të shpërndarjes së ushqimeve, nga prindërit tek fëmijët, por transmeton edhe mënyrën e jetesës, të edukimit, të kulturës, të besimit fetar”.
Në dritën e këtyre parimeve, urimi që delegacionet e pranishme – përfundon Benedikti XVI – të marrin zotime të reja e të përpiqen t’i realizojnë me vendosmëri të madhe:
“Kisha katolike, nga ana e saj, dëshiron të jetë e pranishme në këtë përpjekje! Me shpirtin e bashkëpunimit, ajo nxjerr nga urtia e lashtë, e frymëzuar nga Ungjilli, një thirrje të vendosur e urgjente, aktuale për ata që marrin pjesë në Takimin e rangut të lartë: “Jepi të hajë atij që po vdes nga uria, sepse po të mos i japësh, do të thotë se e ke mbytur”. Ju siguroj se, në udhën e përpjekjeve për të ushqyer të uriturit, do të keni gjithnjë përkrah edhe Selinë e Shenjtë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.