2008-06-02 18:28:24

Kriza ushqimore botërore në qendër të takimit të FAO-s në Romë


(02.06.2008 RV)RealAudioMP3 Që nesër deri më 5 qershor do të zhvillohet në Romë mbledhja e nivelit të lartë e FAO-s, në të cilën do të diskutohet për krizën ushqimore botërore. Qindra liderë politikë dhe ekspertë ndërkombëtare do të përpiqen të përvijojnë rrugëdaljet nga gjendja e krijuar, kryesisht në sajë të shndërrimit të drithërave për ushqim në drithëra për biokarburante. Sipas Organizatës për zhvillimin dhe bashkëpunimin ekonomik, zgjidhjet nuk mund të jenë aftashkurtra e çmimet e ushqimeve do të vazhdojnë të rriten së paku edhe për 10 vjet të tjera. Impenjimet e fundit në drejtim të përmirësimit të situatës mbajnë firmën e Bankës Botërore, e cila ka vendosur të japë një fond prej mëse 1 miliard dollarësh, dhe të Agjensisë amerikane USAID, që ka parashikuar 5 miliard dollarë në dy vjet. Për rëndësinë e këtij takimi të FAO-s flet në mikrofonin tonë, Marko De Ponte, sekretar i përgjithshëm i organizatës jo qeveritare “Action Aid”:
Fakti që krerët e të gjithë botës mblidhen në Romë, pavarësisht se për të mbrojtur secili qëndrimin e vet, përfaqëson një kthesë pozitive, sepse kanë vënë re se problemi i urisë nuk është i dhjetra vjetëve apo i shekujve më parë, por se 850 milion vetë – për të cilët FAO flet vazhdimisht – janë një problem real. Fatkeqësisht, gjendja është rënduar me rritjen e çmimeve të ushqimeve të përditshme në vendet e varfëra. Vlerësohet se gjatë 12 muajve të fundit, ndoshta 100 milion vetë kanë zbritur nën atë prag të ardhurash, që nuk u lejon të ushqehen ashtu siç duhet.







All the contents on this site are copyrighted ©.