2008-06-02 18:32:29

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(02.06.2008 RV)RealAudioMP3 2 qershor: Injac Lojola: themelimi i Shoqërisë së Jezusit.
Paris, 15 gusht 1534. Nëntë burra, mbledhur rreth Injacit të Lojolës, bëjnë betimin në Kapelëzën e Zojës me Shtatë Hanxharë në Montmartrë. Sapo t’i kryejnë studimet, do të nisen menjëherë për të predikuar Ungjillin. “Premtoj se do të shkoj në Jeruzalem e se do të shkrij gjithë jetën time për shpëtimin e shpirtrave. Por, në se brenda vitit nuk do të gjej asnjë anije që niset nga Venediku, bëj kushtin të shkoj tek Papa, që të më çojë ku të dojë, për lumninë e Hyjit e të shpirtrave!”.
E kështu, tri vjet më pas, këta burra janë gati të nisen për mision nga Venediku. Por anijet nuk lëvizin: lufta ndërmjet Republikës veneciane e turqëve, paralizon shkëmbimet ndërmjet vendeve të Mesdheut.
Dhjetë shokët mbeten të zhgënjyer keqas. Shumica janë krejt të rinj, plot me ide e ëndrra, të lumtur që do t’ia kushtojnë gjithë jetën Hyjit e do të predikojnë fjalën shëlbuese. Po ja që planin e mori lumi! Duke përsëritur betimin e 15 gushtit, vendosin të bëjnë atë që ishte parashikuar, në rast të pamundësisë për ta realizuar shtegtimin në Jeruzalem. Injaci, së bashku me njërin nga shokët, niset për tek Papa. Por, para se të përshëndetet, u lind një pyetje, që nuk e kishin paramenduar:
“Ç’emër do të zgjedhim për shoqërinë tonë?”, pyet njëri prej tyre.
“Ne jemi shokët e Jezusit” – ia pret, aty për aty, një tjetër.
“Atëherë mund të quhemi ‘Shoqëria e Jezusit”, propozon një i tretë.
Shokët e Jezusit njihen më shumë me emrin ’Jezuitët’.
Një nga misionet e tyre të para në Itali e pastaj në mbarë Evropën, është fusha e arsimit. Ndërsa Injaci nisej për Romë, shokët e tij u ndanë e u nisën në qytetet e mëdha universitare italiane: Padovë, Bolonjë, Firence, Ferrara, Sienë, për t’ua predikuar Hyjin njerëzve të ngritur të epokës. Për shekuj me radhë, qëllimi i tyre ishte formimi i elitave intelektuale që, si të arrinin në pushtet, ta organizonin gjithë jetën në frymën e Ungjillit. Në kolegjet e tyre jezuitët përdorin një metodë të veçantë, të bazuar mbi shpirtin e garës, për të nxitur punën e studentëve.
Jezuitët sot janë aktivë në fronte nga më të ndryshmet: merren me të varfërit (fëmijët e braktisur në Indi, favelas në Brazil, banorët e Afrikës), por edhe me mjediset e kulturës, të shtypit e të universitetit. Të pakta janë fushat e jetës, ku nuk ndjehet prania e jezuitëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.