2008-06-01 12:33:00

Dita e fundit e muajit kushtuar Zojës së Bekuar: me ne, mëkëmbësi i Papës, kardinali Angjelo Komastri.


(01.06.2008 RV)Sivjet Papa e kremtoi ditën e fundit të muajit maj, në Sheshin e Shën Pjetrit. Kremtimi nisi me procesionin e klerit nga Sheshi i Martirëve të parë romakë, në Qytetin e Vatikanit, deri në tremen e Bazilikës vatikanase, duke thënë Rruzaren Shenjte; vijoi me kremtimin e Fjalës së Zotit e përfundoi me bekimin Apostolik të Atit të Shenjtë.
Është hera e parë që Benedikti XVI e kryeson kremtimin përfundimtar të muajit marian në Sheshin e Shën Pjetrit. Pse e ç’kuptim ka ky ndryshim? Përgjigjet, në mikrofonin tonë, kardinali Angjelo Komastri, kryeprift i Bazilikës së Vatikanit e mëkëmbës i përgjithshëm i Shenjtërisë së Tij për Qytet–Shtetin e Vatikanit:

Përgjigje: - Vitet e kaluara, përfundimi i muajit maj kremtohej tek Shpella e Lurdës në Kopshtet e Vatikanit e, në përfundim, merrte pjesë edhe Papa. U drejtonte besimtarëve të pranishëm një fjalim, që ishte si një llambë e ndritshme, e cila ndizej për të vijuar udhën në gjurmët e Marisë. Por çdo vit dilte një problem: donin të vinin shumë njerëz e nuk mund të hynin të gjithë. Atëherë, për t’iu përgjigjur kërkesës së njerëzve, që dëshirojnë ta përfundojnë muajin e majit së bashku me Papën, lindi vetvetiu kjo ide: ta kremtojmë 31 majin në Sheshin e Shën Pjetrit. Sheshi i Shën Pjetrit i ka përherë krahët e hapur për t’i pritur të gjithë ata, që duan ta thonë Rruzaren me Benediktin XVI e të dëgjojnë fjalën e Papës, duke marrë edhe bekimin apostolik. Papa e priti me shumë entuziazëm këtë ide, ndërsa nismën e organizuan Vikariati i Romës dhe Vikariati i Qytet–Shtetit të Vatikanit.

Pyetje: - Ç’do të thotë ta jetosh fenë, duke ia besuar vetveten Zojës së Bekuar?

Përgjigje: - Maria - na thotë Ungjilli, na e thotë Elizabeta e ndriçuar nga Shpirti Shenjt - është besimtare, besimtarja e parë e përkryer. Kur ia beson veten Marisë, je në krahët e Jezusit. Maria na edukon në fe, Maria na merr për dore për të na çuar tek Zoti, sepse Testamenti i Marisë janë fjalët që shqipton në Dasmën e Kanës: “Bëni gjithçka t’ju thotë Ai”. Kur i afrohemi Marisë, ndjehemi më shumë të krishterë, më shumë dëshmitarë të Krishtit, sepse Maria nuk të largon nga Hyji: Maria të çon tek Hyji, të çon tek Jezusi. Kush nuk i afrohet Marisë, humbet ndihmën më të madhe për t’u takuar me Hyjin.







All the contents on this site are copyrighted ©.