2008-05-30 19:03:21

Vatikani i kërkon politikës të mbrojë familjet e emigrantëve


(30.05.2008 RV)Në një dokument të Këshillit Papnor për Baritorinë e Emigrantëve dhe të Endacakëve u bëhet thirrje qeverive dhe institucioneve politike të mbrojnë familjet e emigrantëve. Thirrja vjen menjëherë pas ashpërsimit të politikave të bashkimit familjar në disa vende evropiane, si Italia dhe Gjermania. Sipas Këshillit Papnor, emigrantët, edhe kur janë klandestinë, përbëjnë një pasuri për shoqërinë ku punojnë, prandaj duhen rishikuar politikat për ta e duhen shndërruar në favor të integrimit të tyre në jetën e vendit ku qëndrojnë. Një mënyrë e sigurtë integrimi, që u jep atyre mundësi edhe të largohen nga rrugë të ndryshme të jashtëligjshme, është pikërisht bashkimi me familjen. Duke mbajtur një qëndrim kritik ndaj emigrantëve jo të rregullt e trafikëve të paligjshëm, Këshilli Papnor i kërkon Kishës të luajë si gjithnjë, rolin e saj të rëndësishëm në favor të familjes së bashkuar, të proceseve të inkulturimit e të integrimit dhe të nxitjes së respektimit të të drejtave të emigrantëve. Të mbahen parasysh kushtet e punës së emigrantit, të respektohen zakonet e tyre për krijimin e familjes, të ndihmohen në përgatitjen për martesë: këto janë disa nga urgjencat e tjera të sinjalizuara nga dokumenti, i cili nuk lë mënjanë edhe problemin e grave katolike të martuara me jo katolikw, duke u kërkuar mbështetje për to bashkësive të krishtera. Këshilli Papnor për Emigrantët kërkon hapjen e një dialogu për të njohur dhe zbatuar rregullat e reciprocitetit edhe në fushën e lirisë fetare, në nivel kombëtar e ndërkombëtar, dhe uron që të ndërhyjnë për këtë edhe Kombet e Bashkuara, mbi bazën e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut.







All the contents on this site are copyrighted ©.