2008-05-30 18:28:22

Solemniteti i Zemrës së Krishtit: kuptimi e devocioni, shpjeguar nga kryeipeshkvi Mauro Piaçenca, sekretar i Kongregatës për Klerin.


(30.05.2008 RV)Sot, në solemnitetin e Zemrës së Krishtit, Kisha katolike kremtoi edhe Ditën Botërore për Shenjtërimin e meshtarëve. Me këtë rast, Kongregata për Klerin u drejtoi të gjithë meshtarëve një Letër të nënshkruar nga kardinali-prefekt Klaudio Humes dhe nga sekretari, imzot Piacenca, në mikrofonin tonë:

 
Pyetje: - Cili është mesazhi kryesor i Letrës së sivjetme drejtuar meshtarëve?

Përgjigje: - Deshëm të ripohojmë, në përkim të plotë me atë që na kujton Ati i Shenjtë në enciklikën ‘Deus Caritas est’(n. 37), epërsinë e fesë, besnikërinë ndaj kremtimit eukaristik dhe adhurimit të të Shenjtnueshmit Sakrament, të cilat jetohen ditë për ditë, si kërkesë e zemrës më tepër, sesa si si detyrë zyrtare. Nënvizohet edhe shërbimi ndaj popullit të Hyjit, që njihet edhe si shërbim baritor, por më mirë do të ishte të quhej apostullim. E ky shërbim duhet parë si rruga kryesore, e kurrë si pengesë, për shenjtërimin e meshtarëve.

Pyetje: - Cila është dëshmia më e madhe që mund t’u japë një meshtar njerëzve?

Përgjigje: - Ta bëjë Krishtin të pranishëm në botë. Meshtari është njeri i pushtuar plotësisht nga Zoti Jezus, Zoti e zgjedh e po Ai e shuguron meshtar. Meshtari jeton në lidhje të ngushtë me Krishtin e kjo jetë shpirtërore duhet të pasqyrohet në çdo gjest: në urtinë e tij, në aftësinë për të kuptuar, për të mirëpritur, për të vuajtur bashkë me tjetrin. Nuk ka dëshmi më të madhe se t’u çosh Krishtin vëllezërve, duke u dhuruar Mëshirën hyjnore e Bukën e Qiellit: Kungimin Shenjt. Që kjo të realizohet me fryt, meshtari duhet të hyjë ditë për ditë në optikën e ‘zvogëlimit’, që të rritet Zoti, në të e në zemrat e vëllezërve.







All the contents on this site are copyrighted ©.