2008-05-30 18:27:40

Letra e Papës drejtuar Patrikut Aleksej II: katolikët e ortodoksët gjithnjë më pranë njëri-tjetrit.


(30.05.2008 RV)Kardinali Valter Kasper, kryetar i Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve, u takua dje, në Moskë, me patrikun ortodoks Aleksei II, të cilit i dorëzoi një Letër të Benediktit XVI. Në mesazh, Papa vlerëson shumë përpjekjet e Patrikut të Moskës dhe të të gjithë Rusive për fuqizimin e lidhjeve ndërmjet katolikëve e ortodoksëve si dhe për nxitjen e dialogut me konfesionet e ndryshme të krishtera dhe me fetë e tjera. Benedikti XVI shpreh kënaqësinë për shenjat e vëllazërimit, që vërehen gjithnjë më shumë në marrëdhëniet ndërmjet dy Kishave motra, të cilat kanë një dëshirë e një qëllim të përbashkët: të mbështesin, në botë, vlerat e krishtera. Letra e Papës përfundon me një lutje drejtuar Krishtit të ngjallur, që katolikët dhe ortodoksët ta ndjejnë veten sa më pranë njeri-tjetrit në rrugën që i çon drejt bashkimit të plotë. Nga ana e tij Aleksei II, gjatë takimit me kardinalin Kasper, ripohoi se do të vijojë të ecë me bindje në rrugën e dialogut ndërmjet dy Kishave të Krishtit, duke pasur parasysh se qëndrimet e tyre përkojnë në shumë tema aktuale, si tema e moralit, e marrëdhënieve familjare e shoqërore, e të drejtave të njeriut dhe e bioetikës. Dialogu ynë - nënvizoi Aleksei II – duhet ta thellojë më tej bashkëpunimin e ortodoksëve dhe të katolikëve për mbrojtjen e vlerave morale të krishtera në botë.







All the contents on this site are copyrighted ©.