2008-05-30 18:28:12

Imzot Amato shpjegon Dekretin e Kongregatës për Doktrinën e Fesë mbi mbrojtjen e sakramentit të Urdhërit shenjt


(30.05.2008 RV)Kongregata për Doktrinën e Fesë botoi në gazetën ‘L’Osservatore Romano’, një Dekret të përgjithshëm ‘për të mbrojtur natyrën edhe vlerën e sakramentit të Urdhërit shenjt’. Në Dekret pohohet se, ‘ në përkim me nenin 1378 të Kodit të së Drejtës Kanonike, si ai që do të tentojë t’i japë Urdhërin e shenjtë një gruaje, ashtu edhe gruaja, që do të pranojë të shugurohet, shkishërohen latæ sententiæ, dmth. automatikisht, nga Selia Apostolike’.
Përsa u përket Kishave Lindore, shkishërimi, gjithnjë nga Selia Apostolike, mbështetet në nenin 1423 të Kodit Kanonik të këtyre Kishave.
Dekreti, nënshkruar nga kardinali Uiljam Levada dhe nga kryeipeshkvi Angjelo Amato, përkatësisht prefekt dhe sekretar i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, hyri në fuqi dje, me botimin në ‘L’Osservatore Romano’.
Imzot Amato, në mikrofonin e Radios sonë, na sqaron pse u ndje nevoja për hartimin dhe botimin e këtij Dekreti:

Përgjigje: - Sepse ka pasur raste të rralla të të ashtuquajturave shugurime të grave në disa zona të botës. Përveç kësaj, është edhe mjet ndihme që u jepet ipeshkvijve për të siguruar një përgjigje të vetme në mbarë Kishën.

Pyetje: - A janë të vlefshme këto të ashtuquajtura shugurime?

Përgjigje: - Janë të pavlefshme. Nuk janë shugurime. Disiplina kanonike e Kishës thotë se “shugurimi meshtarak ka vlerë vetëm atëherë, kur e merr i pagëzuari i seksit mashkullor’ (kan. 1024).

Pyetje: - Për ç’arsye Kisha pohon se mund të shugurohen vetëm burrat?

Përgjigje: - Arsyeja kryesore është një e vetme: Kisha nuk ka të drejtë ta ndryshojë vullnetin e themeluesit të saj, Jezu Krishtit.

Pyetje: - Po konfesionet e tjera të krishtera, si veprojnë në këtë rast?

Përgjigje: - Kisha në këtë rast nuk është vetëm, sepse edhe Kishat e lashta Lindore si dhe Kishat ortodokse i nënshtrohen së njëjtës disiplinë të Kishës katolike. Disa bashkësi kishtare të Reformës e kanë prishur këtë traditë dymijëvjeçare të Kishës.

Pyetje: - Ç’do të thotë shkishërim latæ sententiæ?

Përgjigje: - Mbi të gjitha shkishërimi latæ sententiæ do të thotë se kjo masë është automatike, ipso facto. Në radhë të dytë, shkishërimi e ndalon të shkishëruarin (can. 1331) të marrë pjesë si meshtar në kremtimin e Flijimit eukaristik si dhe në të gjitha kremtimet e kultit publik; e ndalon të kremtojë sakramentet ose ritet fetare si dhe t’i marrë sakramentet; së treti, të kryejë çfarëdo lloj detyre kishtare.

Pyetje: - Si mund të hiqet ky shkishërim?

Përgjigje: - Është fjala për shkishërim nga Selia e Shenjtë. Hiqet kur personat e intresuar pendohen sinqerisht dhe zotohen të respektojnë doktrinën dhe disiplinën e Kishës. Shkishërimi është dënim që synon ta shërojë njeriun, të cilin e fton të bëjë kthesë, të ecë në rrugë të drejtë e ta shlyejë shkandullin.







All the contents on this site are copyrighted ©.