2008-05-30 19:09:21

Filmi "East West East", dëshirë për liri në vitet '90 në Shqipëri


(30.05.2008 RV)Përfunduan në Trieste, pas tetë javësh, filmimet për “Ist Uest Ist” (Lindje Perëndim Lindje), të filluara në Tiranë më 14 prill. Filmi, i shkruar dhe i drejtuar nga regjizori Gjergj Xhuvani, tregon për peripecitë e një grupi ciklistësh diletantë, të udhëhequr nga Ilo, një ish-kampion 40 vjeçar, që duhet të përfaqësojë Shqipërinë në një garë në Francë. Jemi në vitin 1990, në një Shqipëri të varfër e të izoluar, në prag të ndryshimeve që sollën rënien e komunizmit. Ngjarjet zhvillohen ndërmjet Shqipërisë, Italisë e ish-Jugosllavisë. Ardhja e demokracisë e gjen grupin në Trieste. Çiklistët e braktisur nga funksionarët e ambasadës, vendosin të kthehen në atdhe me biçikleta, duke përballuar momente të vështira e të paparashikuara.
“Doja të tregoja diçka nga ato vite jo të lehta – deklaron për shtypin regjizori Gjergj Xhuvani – të përshkruaja vëllezërit e mi shqiptarë, heroizmin e tyre të panjohur, zërin e dobët të arësyeve të tyre, shqetësimin e këmbënguljes që nuk tërhiqet para vështirësive të përgjithshme, ëndërrat krenare, buzëqeshjet që ndriçojnë errësirën, studimin kryeneç të rregullave të reja, mundimin e tyre të jashtëzakonshëm, plot gaz për të jetuar. Për ta bërë këtë – shpjegon akoma – e çova kalendarin mbrapa, krijova një skuadër çiklistësh të improvizuar por të vendosur, i hodha në Eldoradon e Perëndimit për t’i kthyer në krenarinë e Lindjes, në kohë për t’u njohur me pikat e reja kardinale që bota po vendoste, duke shembur muret e fundit të urryera”.







All the contents on this site are copyrighted ©.