Atë Federiko Lombardi në takimin vjetor të mediave katolike të Kanadasë dhe të SHBA-së:
Papa nuk i lë mënjanë çështjet delikate dhe ka guximin të thotë të vërtetën.
(30.05.2008 RV)Drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Atë Federiko Lombardi,
edhe drejtor i Radios sonë e i Qendrës Televizive vatikanase, foli dje, në Toronto,
gjatë takimit vjetor të mediave katolike të SHBA-së dhe të Kanadasë, për lidhjen e
Papës me mjetet e komunikimit. Benedikti XVI – shpjegoi Atë Lombardi - nuk u shmanget
çështjeve delikate dhe ka guximin të thotë të vërtetën. Papa – theksoi drejtori
ynë i përgjithshëm – e ndjek me interesim ndikimin e mesazhit të tij, jehonën e fjalimeve
të tij. E, pas çdo shtegtimi apostolik ndërkombëtar, edhe Benedikti XVI, ashtu si
Gjon Pali II, takohet, në Vatikan, me drejtuesit e mjeteve të komunikimit, për të
kuptuar ç’është nënvizuar më shumë, si janë interpretuar fjalimet, me ç’sy i kanë
lexuar mediat. Benedikti XVI – tha Atë Lombardi – përpiqet të kuptojë zhvillimin e
komunikimit në botën e sotme, por pa u frikësuar, e aq më pak, pa u kushtëzuar nga
ky zhvillim. Edhe ne, si komunikatorë – shtoi drejtori i Radio Vatikanit – nuk duhet
të kushtëzohemi aq nga miti i një komunikimi që mendon se duhet të krijojë gjithnjë
konflikte, për të qenë i suksesshëm. Duhet të jemi realistë e ta denoncojmë të keqen:
e për këtë - pohoi Atë Lombardi – Benedikti XVI nuk pranon kompromise. Kritikon,
pa asnjë ndrojtje, relativizmin, me bindjen se vihen në lojë vlera shumë të rëndësishme
për njeriun, për shoqërinë e për ardhmërinë e saj. Këto parime themelore, Papa i kujtoi
edhe në fjalimin drejtuar Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ku Ati i Shenjtë nuk përdori
fraza të bujshme, për të bërë sensacion. Për t’iu përgjigjur sfidave të komunikimit
– nënvizoi Atë Lombardi – duhet të kemi guxim ta themi qartë të vërtetën, të kemi
besim në arsyen e durim për të komunikuar mesazhe të forta. Sepse rruga më e mirë
– vërejti drejtori i emitentes sonë – është ajo që di të largohet njëkohësisht si
nga optimizmi foshnjor, ashtu edhe nga pesimizmi i plotë, i cili nuk beson në praninë
e në fuqinë e veprës së hirit. Benedikti XVI – përfundoi Atë Lombardi – nuk është
më vetëm mësues i madh; është gjithnjë më shumë edhe bari i një humanizmi që të bën
për vete; ne, si komunikatorë, na takon ta vlerësojmë e t’i vemë gjithnjë më shumë
në dukje këto aspekte, të cilat figura e mëparshme, tejet e pjesshme, e personalitetit
të tij, i linte në hije.