2008-05-30 18:27:04

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(30.05.2008 RV)30 maj: Apostuj e Meksikës u predikojnë ungjillin indianëve lëkurëkuq
Ambasadori i dërguar nga Hernan Kortez, qeveritar i Meksikës, nuk e priste këtë… E ngarkuan të takohej me disa personalitete të rëndësishme e … kush i erdhi! Nga anija zbarkuan dymbëdhejtë rregulltarë leckapanë. Ata pak indianë, që ishin të pranishëm në takim, mbetën pa mend kur panë thjeshtësinë dhe varfërinë e rregulltarëve. Për t’i kthyer aztekët në rrugën e Zotit, nuk duhen prelatë të pasur e të mbuluar me ar. Këta vëllezër, që do të jetojnë pranë e pranë aztekëve, në të njëjtën varfëri, në mos po edhe më të madhe, do t’ia dalin mbanesh t’i afrojnë shumë më shpejt tek feja katolike.
Në rrjedhë vitesh ‘dymbëdhjetë apostujt’ françeskanë, të dërguar nga Spanja, arrijnë t’i bindin të gjithë. Ngado u shkel këmba, indianët kërkojnë të pagëzohen. Në disa zona marrin fund flijimet e njerëzve, ndër të tjera, organizohen procesione për t’i flakur perënditë pagane në liqen. E këta fretër françeskanë, kaq të ligshtë në dukje, nuk mjaftohen vetëm me përhapjen e fesë së krishterë kudo, por punojnë me të gjitha forcat edhe për shndërrimin shoqëror të vendit. I bindin aztekët e pasur t’i ndajnë pasuritë me fshatarët. Krijojnë qëndrat e nevojshme për mjekimin e të sëmurëve. Sapo arrijnë në një fshat të ri, ndërtojnë menjëherë një kishë e një spital. Të sëmurët, të cilët deri në atë çast trajtoheshin mizorisht nga bashkësia, më në fund vihen në qendër të vëmendjes e të kujdesit për shërimin e tyre të shpejtë. Hapin shkolla, sjellin ujin e pijshëm, organizojnë jetën politike, vendosin drejtësinë, zhvillojnë kulturën e bujqësinë moderne…. ‘dymbëdhejtë apostujt’ bëjnë mrekullira.
Megjithatë, ungjillëzimi i Meksikës nuk arrihet lehtë. Në kundërshtim me çdo arsye të mirë, nuk janë indianët ata që krijojnë vështirësi, por spanjollët, pushtuesit. Disa prej tyre mbjellin terrorr e vdekje, për të shtënë në dorë pasuritë e aztekëve. Vetëm me ndikimin e fuqishëm të fretërve dhe të mbrojtësit të tyre, Hernan Kortezit, pushtuesit detyrohen t’i japin fund këtyre krimeve të shëmtuara. Pavarësisht nga vështirësitë e panumërta, disa vjet më pas veprimtaria e françeskanëve vijon të japë fryte të begata. E kur historia meksikane do ta sulmojë fenë katolike, indianët e ungjillëzuar shumë kohë më parë nga ‘dymbëdhjetë apostujt’ nuk do të ngurojnë të flijojnë edhe jetën në emër të Krishtit.








All the contents on this site are copyrighted ©.