2008-05-29 18:48:07

Papa priti në audiencë nëntë ambasadorë të rinj pranë Selisë së Shenjtë: gjashtë nga Afrika, dy nga Azia e një nga Evropa lindore.


(29.05.2008 RV)RealAudioMP3 Sot paradite, duke pritur në audiencë nëntë ambasadorë të rinj pranë Selisë së Shenjtë, Benedikti XVI kujtoi se qeveritarët e mbarë botës duhet të përpiqen t’i garantojnë paqen e dinjitetin e jetës jo vetëm popujve të tyre, por mbarë njerëzimit. Gjatë takimit me Atin e Shenjtë paraqitën letrat kredenciale gjashtë afrikanë: përfaqësuesi i Tanzanisë (Ahmada Rueiemamu Ngemera), i Ugandës (Nyine Bitahva), i Liberisë (Veslei Momo Xhonson), i Çadit (Hisein Brahim Taha), i Nigerisë (Obed Vadzani), dhe i Gueinesë (Aleksandër Çeçe Lua).
Pastaj, dy aziatikë: nga Bangladeshi (Debaprija Batakaria) e nga Sri Lanka (Tikiri Bandara Maduvegedera) dhe një evropian nga Bjellorusia (Sergei Aleinik).
Gjatë takimit me diplomatët e rinj pranë Selisë Apostolike, Papa uroi që Hyji t’i ndihmojë në përpjekjet për ndërtimin e një shoqërie sa më paqësore, duke pasur mirë parasysh rolin e shteteve e të qeverive për progresin e përgjithshëm:
“Në botën e sotme – theksoi Papa - udhëheqësit e kombeve luajnë një rol të rëndësishëm jo vetëm në vendet e tyre, por edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, me qëllim që të gjithë njerëzit të sigurojnë kushte sa më mira jetese atje ku kanë vendosur të qëndrojnë. Prandaj – vijoi Ati i Shenjtë – masa e parë që duhet marrë në lëmin e politikës, është kërkimi i drejtësisë, sepse vetëm kështu mund të arrihet në respektimin e dinjitetit dhe të drejtave të çdo njeriu si dhe në ndarjen e ndershme të pasurisë kombëtare.
E kjo vlen edhe në planin ndërkombëtar. Vendet e pasura – kujtoi Shenjtëria e Tij – nuk mund t’i përvetësojnë e t’i përdorin në dobinë e tyre pasuritë që vijnë nga troje të tjera. Është detyrë drejtësie e solidariteti – nënvizoi me forcë Benedikti XVI– që bashkësia ndërkombëtare të jetë vigjilente, kur është fjala për shfrytëzimin e burimeve, e t’i kushtojë vëmendje të veçantë krijimit të kushteve të përshtatshme për zhvillimin e vendeve, që kanë më shumë nevojë. Përveç drejtësisë - vijoi të kujtonte Papa – është e nevojshme të krijohet edhe fryma e vëllazërimit, për të ndërtuar, kështu, shoqëri plot harmoni, ku mbretërojnë pajtimi e paqja e ku problemet e mundshme, zgjidhen me rrugën e dialogut e të mirëkuptimit, duke shmangur rrezikun e ushtrimit të dhunës, në të gjitha format e saj, sepse dhuna godet gjithnjë njerëzit më të ligshtë e më të varfër.
Së fundi Ati i Shenjtë u bëri thirrje kishave vendase të kontribuojnë me të gjitha forcat për sigurimin e mirëqenies së bashkatdhetarëve, duke i shërbyer njeriut, të gjithë njerëzve, pa kurrfarë dallimi.







All the contents on this site are copyrighted ©.