2008-05-29 19:03:31

Kryeministri Berisha: në Shqipëri centralet bërthamore italiane


(29.05.2008 RV)Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha është gati t’ia hapë dyert kujtdo që dëshiron të ndërtojë një central bërthamor në Shqipëri. Idenë ia ka paraqitur edhe kryetarit të Asamblesë së përgjithshme të OKB-së, Srgjan Kerim, i cili ndodhej për vizitë në Tiranë. Para gatishmërisë së Berishës për të bashkëpunuar për centralin bërthamor me vendet fqinje, ose me sektorin privat, Kerim theksoi se ndërtime të tilla duhen bërë duke respektuar mbrojtjen e mjedisit nga ndotja.
Në një intervistë të botuar në gazetën e sotme italiane “Corriere della Sera”, kryeministri Berisha tregohet i gatshëm t’u hapë dyert italianëve për ndërtimin e centralit bërthamor dhe sqaron se po përgatitet kuadri ligjor në bashkëpunim me Agjensinë ndërkombëtare Atomike të Vienës. “Energji bërthamore? Po, faleminderit!” citon gazeta Berishën në shqip, duke vënë në dukje se kryeministri po e jep vendin e vet me një ofertë speciale e pa shumë shqetësime. E ndërsa fizikanët italianë deklarojnë se ndërtimi i një centrali bërthamor në Itali kërkon vite vetëm për të formuar personelin përkatës, i cili pas referendumit antibërthamor është shpërndarë e specializuar në degë të tjera, Shqipëria është gati t’u japë në dorë italianëve ndërtimin e centralit të saj bërthamor.
Gazetari e ngacmon kryeministrin shqiptar edhe për tema të tjera, si tragjedia e Gërdecit dhe përfshirja e familjes së tij në çështje, por Berisha driblon fillimisht e pastaj deklaron se kur ka marrë vesh që armët i shiteshin Afganistanit me çmim të dyfishuar i ka telefonuar presidentit Karzai duke i ofruar municione falas. E shkon edhe më tej! Municione falas, Berisha paska dhënë edhe gjatë luftrave të fundit në Ballkan, “kombeve mike”, siç shpjegon ai, pa dhënë emra. E akoma! I pyetur për librin e Karla del Pontes, ku Shqipëria akuzohet se ka lejuar një kamp përqëndrimi të UÇK-së, ku bëhej edhe trafik organesh, Berisha përgjigjet se Del Pontes i duket vetja si Agata Kristi, shkrimtare e njohur e romaneve policeske, dhe e akuzon atë për shpifje. Pyetjes së gazetarit për të ardhmen e tij në politikë, Berisha i përgjigjet se vetëm dy gjëra mund ta çojnë në pension: Zoti i gjithëpushtetshëm dhe populli shqiptar. E me këto fjalë përfundon edhe artikulli i gazetarit Françesko Batistini në “Corriere della Sera”.







All the contents on this site are copyrighted ©.