2008-05-29 18:50:35

Dialogu ekumenik, në qëndër të vizitës së sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Bertone, në Ukrainë.


(29.05.2008 RV)Ukraina është udhëkryq ndërmjet kulturave të Lindjes e të Perëndimit e mund të luajë një rol tepër të rëndësishëm në Bashkimin Evropian, të cilit po i troket në portë. Këtë bindje ka kardinali Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit i cili, në përfundim të një udhëtimi katërditor (23-26 maj) në Leopoli e Kiev, ku u takua edhe me presidentin Jushenko dhe zevendës-kryeministrin, Nemyria, nënvizon se Ukraina është një laborator i vërtetë ekumenik, që lidh Evropën perëndimore me atë lindore. Psenë e kësaj konsiderate për Ukrainën, kardinali Bertone e shpjegon kështu, në mikrofonin e Radio Vatikanit:

Përgjigje: - Sepse, në të vërtetë, Ukraina mund të luajë një rol të rëndësishëm, duke qenë pikë takimi, udhëkryq ndërmjet kulturave të Lindjes e të Perëndimit. Kisha - në se kujtojmë fjalët e famshme të Gjon Palit II – e jo vetëm Kisha, por edhe Evropa, duhet të marrë frymë me dyja mushkëritë: Lindje-Perëndim. Pikërisht sivjet kremtohet 1020 vjetori i ungjillëzimit të parë të vendit që, duke u nisur nga Ukraina, u shtri drejt Lindjes dhe vuri bazat e atyre rrënjëve të krishtera, që janë humusi i kësaj toke e që mund të sigurojnë unitetin ndërmjet popujve të Lindjes e të Perëndimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.